TIRANE- Kryetarja e Lidhjes Demokratike të Gruas së Shqipërisë (LDGSH), deputetja Albana Vokshi e cilësoi të manipuluar dhe të cënuar procesin zgjedhor në 21 Qershor. Në forumin e grave të Partive Popullore Evropiane që u mbajt në Maltë, zonja Vokshi i bëri me dije kolegëve europarlamentarë, deputetëve dhe politikanëve të vendeve të BE, se ka patur një proces masiv të shitblerjes së votës, klimë shantazhuese të qeverisë dhe mazhorancës mbi vullnetin e lirë të shqiptarëve, angazhim ne proces kandidatë me rekorde kriminale, të gjitha të evidentuara edhe në raportin paraprak të OSBE-ODIHR.

“Në një skenar të mirëpregatitur me ndarjen e re territoriale, PS dhe LSI,- tha zonja Vokshi,- minuan standardet e zgjedhjeve, duke e kthyer votimin, në një proces diktatorial, ku votuesit fotografonin votën në këmbim të parave dhe të vendeve të punës”.

Vokshi e vuri theksin te klima kërcënuese për të marrë votën e grave dhe të nënave me vendin e punës, tek parregullsitë e shumta që lidheshin me organizimin e infrastrukturës zgjedhore, si kutitë, shpërndarja e fletët e votimit, vulat dhe terma të tjera teknikë, të cilët ndikuan drejtëpërsëdrejti në mbarëvajtjen e procesit.

“PD ka depozituar të dhëna të shumta me fakte dhe argumenta pranë OSBE, ODHIR dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare për fenomenin e blerjes se votave, për presionin dhe klimën shantazhuese ndaj administrates dhe biznesit në favor të një rezultati manipulues të mazhorancës në zgjedhjet lokale”,-tha Vokshi.

Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore Doris Pack dhe liderët e vendeve të BE-së në referencë të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve OSBE-ODIHR për zgjedhjet në Shqipëri, shprehën shqetësimin e madh për cënimin e standardeve, manipulimin e zgjedhjeve, të cilat mund të kenë ndikim në proceset integruese të vendit.

Demokracia dhe i tërë shteti i së drejtës është më në rrezik se kurrë nga qeverisja dhe mazhoranca e inkriminuar, e cila ka sfiduar sistemin dhe me vendosjen e kandidatëve të lidhur me krimin.

Deputetja Vokshi, shtoi se: “PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore manipuluesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Opozita do të vazhdojë e palëkundur në betejën e saj me antiligjin dhe pushtetin e inkriminuar, i cili ka kapur cdo institucion dhe strukturë të pavarur”.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: