Deputetja e zgjedhur e PD, Albana Vokshi shkruan se sipas Eurostat, shqiptarët paguajnë 34 herë më shumë për shëndetin se sa mesatarja e BE.

Vokshi thotë se ky fakt nxjerr zbuluar mashtrimin më të madh të Ramës që është shëndetësia falas.

Sipas saj, reforma në Shëndetësi ishte veçse trumbetim dhe e dështuar, pasi u përdor si pretekst për PPP-të korruptive.

Në përfundim, deputetja demokratike thekson se bilanci i zi e detyron Ramën të mos lejojë zgjedhje të lira pasi nuk fiton dot kurrë besimin e qytetarëve.

 

STATUSI NGA ALBANA VOKSHI

#Shëndetësia #falas mashtrimi më i madh i Edi Ramës! Eurostat: Shqiptarët paguajnë 34 herë më shumë për shëndetin se mesatarja e Bashkimit Europian.

Ndërsa kreu i pakicës me vota të vjedhura i thur lavde dështimeve të tij, e vërteta e hidhur shpaloset përditë në jetën e çdo shqiptari. Sidomos në ato fusha ku propaganda e zhurmshme përpiqet të përmbysë realitetin.

Të dhënat e fundit të EUROSTAT tregojnë se në raport me fuqinë blerëse, shpenzimet për shëndetin u kushtojnë shqiptarëve 34 herë më shumë se mesatarja e Bashkimit Europian. Pra vendi me të ardhurat më të ulëta në Europë, ka kostot më të larta për kujdesin për shëndetin.

A mund të jetë ‘shëndetësia falas’ më e shtrenjta në Europë? Patjetër që jo! Shqiptarët e provuan në xhepat e tyre dështimin e reformës të trumbetuar me forcë për kaq vite, që në të vërtetë nuk ishte gjë tjetër veçse një pretekst për të plaçkitur shqiptarët me PPP-të korruptive.

Koston e kësaj qytetarët e ndjenë edhe më shumë në kohë pandemie, ku dështimi u bë edhe më tragjik prej jetëve të humbura në raport me popullsinë për shkak të një sistemi shëndetësor të drobitur nga PPP-të, ndërkaq familjet shqiptare të braktisura në fatin e tyre, u detyruan të përballen me virusin duke hyrë në borxhe apo me kursimet e pakta.

Ky bilanc i zi është edhe arsyeja pse Edi Rama nuk lejon zgjedhje të lira, është arsyeja pse i masakron ato në bashkëpunim me klientët e tij dhe krimin e organizuar, sepse ai nuk e fiton dot kurrë besimin e qytetarëve që e kanë ndjerë dhe e ndjejnë në jetën e tyre të përditshme, peshën e tmerrshme të keqqeverisjes së tij të korruptuar.

Partia Demokratike, bashkë me shumicën e shqiptarëve që kërkojnë me forcë ndryshimin që u është mohuar me dhunë në 25 prill, është e vendosur në luftën e saj për kthimin e demokracisë, si parakusht për të pasur një qeveri që punon në interes të familjeve shqiptare dhe jo të një pakice

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb