TIRANË- Partia Demokratike i ka kujtuar sërish sot kandidatit të majtë për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj premtimet e pambajtura në detyrën e tij si Ministër i Mirëqenies Sociale. Deputetja demokrate, Albana Vokshi tha sot se Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura, duke i quajtur ato mashtrime.


“Prapë premtime, prapë mashtrime. Erion Veliaj po përsërit premtimet e pambajtura të dy viteve më parë, por kësaj radhe po i paraqet me ambalazh për Tiranën. Në 2013-ën Erioni premtoi: “Përgjysmim i papunësisë femërore. Garantim i përparësisë në punësim për gratë dhe vajzat që kanë imigruar në zonat urbane dhe qytetet e mëdha”. Ku janë vendet e reja të punës për gratë dhe vajzat? Erioni ishte Ministri përgjegjës për ta realizuar këtë premtim. Ai kishte plot 40% të buxhetit të shtetit për të realizuar këtë dhe dhjetëra premtime të tjera që po ia përmendim çdo ditë qysh prej 2 javësh dhe ia publikojmë në website. Erioni premtoi por mashtroi”, deklaroi Vokshi.

Sipas deputetes së PD-së, kandidati i kryeministrit firmosi për shkarkimin e mbi 3 mijë grave dhe vajzave profesioniste. “Nënat kryefamiljare, personat me aftësi të kufizuar dhe gratë viktima të dhunës u lanë pa punë dhe pa përkujdesje sociale. Në statistikat gjinore, 50 për qind e grave dhe vajzave janë të papuna. Raporti është nga vetë qeveria. Sot gratë dhe vajzat nuk marrin asnjë punësim përveç talljeve dhe fyerjeve në zyrat e punës. Të gjithë jemi dëshmitarë që punësim u ofrohet grave në këmbim të abuzimeve seksuale nga perversët e pushtetit”, u shpreh ajo.

Vokshi tha se Veliaj premton për të marrë pushtetin dhe nuk e ka problem të mashtrojë sërish qytetarët.

“Erion Veliaj, ky papagall i Ramës, vetëm premton por i ka vetëm fjalë pasi nuk realizon.

Erioni premton veç për të marrë pushtet dhe nuk e ka problem t’i mashtrojë sërish qytetarët sapo ta ketë pushtetin. Ka dy javë që çdo ditë po i kujtojmë Erionit nga një tjetër premtim të thyer dhe nga një tjetër mashtrim. Votuesit nuk janë lodra që të mashtrohen përsëri”, përfundoi deklaratë deputetja Albana Vokshi.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: