TIRANË – Deputetja demokrate Albana Vokshi është detyruar të përcjellë për në spital sot, për shkak të gjendjes së rëndë emocionale dhe fizike, një banore të njesisë nr.11 në Tiranë, Luljeta Luarasin.

Problemi i madh i Luarasit ishte heqja e ndihmës ekonomike në kushtet kur ajo ka nën kujdes një vajzë adoleshente të sëmurë, në kushtet kur nuk mundet të blejë as ilaçet e saj të zemrës.

Në një postim në Fb, Vokshi poston fotografitë dhe shkruan: “Zonja në foto është Luljeta Luarasi, banore e njesisë bashkiake nr. 11 në Tiranë. Lulin e takova në takimin që bëra me disa qytetarë pranë kësaj minibashkie e ndërkohë që ajo me tregonte hallin e saj, i ra të fiket para këmbëve të mija. . . Luli është një nga ata mijëra individë të hequr padrejtësisht nga ndihma ekonomike nga ana e Ministrit të Mirëqenies Veliaj.

Jam e bindur që Ministri dhe stafi i tij nuk i dinë hallet e Lulit dhe banorëve të tjerë të asaj minibashkie, sepse atyre s’iu intereson aspak. Ai nuk e di që Luli ka në kujdesje të bijën e saj të sëmurë rëndë 16-vjeçare, e cila ka kaluar 5 operacione.

Heqja e ndihmës ekonomike e ka detyruar Lulin që ajo shpeshherë të hajë vetëm një vakt buke në Qendrën Sociale të hapur nga Bashkia Tiranë e të mos i blejë ilaçet e saj të zemrës dhe të tensionit. Kur e shoqërova në Spitalin Ushtarak, e kishte tensionin mbi 22. . .

Jam e bindur që si Luli ka mijëra qytetarë të tjerë, të cilët kanë muaj pa drita, pa ngrohje, në kushtet e mbijetesës, qe mendimin e vetëm kanë si të sigurojnë pak ushqim për fëmijet e tyre.

Dua t’i bëj thirrje ministrit Veliaj dhe stafit të Ministrisë, që t’i trajtojnë në mënyrë më njerëzore dosjet e skemës së Ndihmës Ekonomike dhe të Invaliditetit, të respektojnë ata qytetarë që çdo muaj aplikojnë me shpresën që një ditë do t’iu miratohet.

I bëj thirrje Ministrit të mos luajë me buken e fëmijëve të familjeve më vulnerabël të shoqërisë shqiptare. Ështe krim të luash me bukën dhe dinjitetin e tyre,-përfundon Vokshi.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: