SHKODER- Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi në një konferencë për media i cilësoi kërcënime të kryeministrit Rama, debatin dje gjatë inaugurimit të punimeve të stadiumit “Loro Boriçi”.

Ademi u shpreh sot se Rama ia ka përsëritur dje 10 herë shprehjen “Do ketë zero fonde për Shkodrën nëse s’prishni dy shtëpi. Më tha do keni zero lekë”.

Sipas zonjës Ademi arsyeja hakmarrëse së kryeministrit Rama është vota e shkodranëve kundër tij.
“i bëj të ditur se prona është më e rëndësishme se qeveria. Rama po vepron kundër ligjit, kundër qytetareve”,- tha ajo.

Rama e Ademi shkëmbyen batuta për ndërtimet përqark stadiumit që sipas kryeministrit duhet të prisheshin, ndërsa kryetarja e Bashkisë së Shkodrës iu kundërpërgjigj duke thënë se, ndërtimet janë me leje dhe se nuk mund të shkelet ligji.

“Kam dërguar pranë qeverisë me dhjetëra projekte dhe janë refuzuar. Kjo është taksa që qytetaret do paguajnë, hakmarrja”,- vijoi ajo.

DEKLARATA E PLOTE
“Jam sot këtu para jush për të denoncuar kërcënimet e papranueshme e skandaloze të kryeministrit të vendit, ndaj Shkodrës e qytetarëve të saj. Mbrëmë, në prani të dhjetëra vetëve, në ambientet e stadiumit Loro Boriçi, Edi Rama u hakërrye në mënyrë të përsëritur, duke më thënë se Shkodra do të ketë zero fonde. Zero fonde, përsëriti 10 herë kryeministri i vendit.

Nuk është vetëm kërkesa e tij për prishjen e shtëpive pranë stadiumit, arsyeja e kësaj sjellje. Kjo është e qartë se është një sjellje politike, hakmarrëse ndaj një qyteti e ndaj banorëve të tij, që nuk e kanë votuar Edi Ramën. Unë jam sot këtu si përfaqësuese e zgjedhur e qytetarëve të Shkodrës dhe dua ti bëj të ditur Edi Ramës se shtëpitë me leje, prona, qytetarët, ligji, janë më të rëndësishëm se pushteti, më të rëndësishëm se një bashki, më të rëndësishëm se unë, se qeveria dhe më të rëndësishëm se Edi Rama. Nuk do të pranoja kurrë të shembja në mënyrë të paligjshme shtëpinë, pronën, mundin, gjakun e djersën e një qytetari, vetëm sepse kjo ka të bëjë me trillet e shijet e një kryeministri.
Edi Rama haptazi po dënon qytetarët e Shkodrës. Kundër ligjit, kundër kushtetuës, ai po privon qytetarët e Shkodrës nga të drejtat e tyre për të pasur zhvillim, punë, arsim e shëndetësi më të mirë. Unë në cilësinë e kryetares së bashkisë kam dërguar dhjetëra projekte, projekte shumë të mira e në interes të komunitetit, të gjitha të refuzuara. Pse? Sepse qytetaret e Shkodrës janë të lirë e nuk e votuan. Pse? Se qytetarët e Shkodrës nuk pranojnë të sundohen.
Kjo është taksa që u dashka të paguajnë qytetarët e Shkodrës, hakmarrjen e një kryeministri që sillet me buxhetin, me taksat e shqiptarëve sikur të jenë pronë e tij private që i shpërndan sipas qejfit. Historia ka treguar se asnjë kryeministër, edhe më tiranët, nuk e kanë firuar betejën me qytetarët, me shkodranët. Në fund triumfon e drejta, triumfojnë qytetarët, triumfon sovrani.”

BATUATAT E PLOTA
Rama: Voltana në mbrojtje, Voltana në mesfushë, Voltana në sulm dhe ndërtimet pa leje s’prishen

Ademi: Po flasim për ndëtime me leje që janë në pronësi të pronarëve të ligjshëm, ky është problemi tjetër. Ka një vullnet shumë të mirë për ti zgjidhur gjërat.

Rama: E shof vullnetin, një vit në detyrë dhe shife si e ke lenë

Rama: E di si thu ti, ti thua sheshin qëndror të qytetit ta bëjmë mbrapa

Ademi: Jo unë them me heq të gjitha ato që janë pa leje dhe që s’janë në rregull dhe me respektu të drejtën e pronës kur ekziston mundësia e zgjidhjes

Rama: Voltana ti je Kryetare e Bashkisë, ata që janë pa leje duhet ti heqësh ti vetë, se e ke detyrë. Nëqoftëse ke ndërmend, hiqi

Ademi: Sigurisht unë po e bëj

Rama: Mua ma kërkon

Ademi: Absolutisht që jo

Rama: Se sa po e ban e shof unë se janë atje akoma

Ademi: Unë po mbroj të drejtën e qytetarëve të mi

Rama: Aha, mirë…

Ademi: Për të cilën unë jam zgjedh dhe pretendoj që edhe kryeministri ta bëjë këtë

Rama: Mos bëj propagandë këtu në televizor

Ademi: Absolutisht, me të drejtën e Zotit edhe me të drejtën që më jep ligji

Rama: O Zot ndihmoje Shkodrën

Ademi: Zoti kryeministër unë mendoj që nuk është gjëja më e rëndësishme për Shkodrën, sesa me u marr me dy objekte që kërkojnë me u vlerësu si duhet

Rama: O Zot!

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: