Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen deklaroi sot se KE do të mbështesë Ballkanin Perëndimor me 1 miliard euro për t’u përballur me sfidat që vijnë nga lufta e Rusisë në Ukrainë, por edhe me një nga pasojat e saj, që ka të bëjë me sektorin e energjisë.

Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Presidentin e Këshillit Europian, Charles Michel, presidentja e KE-së Ursula von der Leyen tha se plani ekonomik për Ballkanin Perëndimor po ecën në drejtimin e duhur.

“Një mesazh shumë i qartë nga ky samit është ai i të qenurit së bashku, për ato çështje të cilat janë sfida me të cilat përballemi, një samit partneriteti me biseda të drejtpërdrejta. Një temë madhore është që ne dëshirojmë të përballemi me sfidat që vijnë jo vetëm nga lufta e Rusisë në Ukrainë, por edhe me një nga pasojat e saj, që ka të bëjë me sektorin e energjisë. Për ne është e rëndësishme që së bashku me miqtë tanë në Ballkanin Perëndimor, ne përballemi me këtë sfidë së bashku në mënyrë të tillë që gjithçka bëjmë në Bashkimin Europian reflektohet edhe në Ballkanin Perëndimor”, tha presidentja e KE-së.

Sipas saj, nga fakti që familjet dhe bizneset këtu do të kalojnë po aq vështirësi sa ato në BE, është e rëndësishme të jepen zgjidhje të njëjta.

“Për ne kjo paketë prej 1 miliard euro për mbështetje është e ndarë në dy pjesë. 500 milionë euro mbështetje e drejtpërdrejtë buxhetore, që krijon mundësinë që në mënyrë të shënjestruar të ndihmojë familjet në nevojë si dhe biznese në nevojë. Pjesa e dytë janë mbështetje për infrastrukturën, në mënyrë që të bëhen investime për energjinë e të ardhmes, që është ajo e rinovueshmja dhe që është më pak e kushtueshme dhe më e mirë për planetin. Dhe prodhohet këtu në vendet tona, duke krijuar vende të reja pune e krijon pavarësinë”, u shpreh Ursula von der Leyen.

Njëkohësisht vuri në dukje përfaqësuesja e lartë e KE-së, mbështetja do të shkojë edhe për projekte të ndryshme që nga parqet fotovoltaike, ato me erë e deri te rehabilitimi i HEC-eve.

“Kemi një kuadër më të gjerë investimesh që është në fushën e transportit, furnizimit me ujë. Kemi përfshirë dhe miratuar edhe 40 projekte të rëndësishme, me një shifër të madhe në euro. Ky plan ekonomik po ecën në drejtimin e duhur”, tha ajo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb