Ndërsa Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i kanë sytë te samiti i liderëve të BE-së ku do të diskutohet fati i tyre në procesin e euro-integrimit, Presidenti francez Emanuel Makron, kundërshtari më i zëshëm, nuk tha as edhe një fjalë për këtë para fillimit të takimit.

Por Presidentja e sapozgjedhur e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen në prononcimin e saj para fillimit të samitit, tha se nuk sheh sinjal pozitiv që sugjeron dhënien e një lajmi të mirë për dy vendet e Ballkanit.

“Nuk ka sinjal që sugjeron se në takimin e liderëve të BE-së do të ketë vendim për procesin e zgjerimit. Më vjen shumë keq për këtë sepse besoj që këto dy vende kanë bërë përpjekje të mëdha për t’u afruar drejt BE-së dhe është shumë e rëndësishme t’u jepet një sinjal i vërtetë”, tha ajo.

As kancelarja gjermane Angela Merkel në orët e paraditës nuk e ka fshehur pesimizmin e saj sa i takon vendimit pozotiv për Shkupin dhe Tiranën. “Shanset për arritjen e një vendimi të përbashkët në samitin e BE-së për dhënuen e datës për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë nuk janë të mira”, ka deklaruar Merkel gjatë fjalimit në Bundestag, para udhëtimit për në Bruksel. Ajo ka shtuar se BE-ja ka përgjegjësi ndaj këtyre vendeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb