DURRES- Vonesa në mbërritjen e trageteve nga Bari në drejtim të Durrësit janë regjistruar gjatë fundjavës që lamë pas. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raporton për “BalkanWeb” se shkak është bërë nisja me disa orë vonesë e tragetit nga Bari në drejtim të vendit tonë. Nga autoritetet italiane thuhet se tragetet janë nisur rreth orëve të mesnatës nga Italia.

Nga ora 7 e mëngjesit të sotëm duhet të kishin mbërritur në portin e Durrësit dy prej 3 trageteve të nisura mbrëmë, por ka patur vonesa në mbërritjen e tyre në brigjet tona.

Fluksi i pasagjerëve ka shkaktuar vonesa në përpunimin e të dhënave në sportelet e policisë kufitare dhe doganës, ndërkohë që është i shumtë numri i familjarëve që presin në terminal mbërritjen e emigrantëve.

Shtatë tragete po lundrojnë çdo ditë nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas për të përballuar fluksin e madh të udhëtarë.

Dita e diel regjistroi dhe fluksin më të lartë të hyrjeve për këtë sezon. Rreth 11 mijë persona, kryesisht emigrantë që kthehen për pushime në atdhe, mbërritën dje në Shqipëri përmes portit detar të Durrësit me 7 tragetet e linjave të Barit e Ankonës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb