Në lidhje me vonesat në përgjigjet e testimeve të kryera pranë Njësisë Vendore të Shëndetit Publik në Berat, që mbulon me testime edhe bashkinë e Urës-Vajgurore, ka reaguar shefja e shërbimit epidemiologjik në këtë institucion, Laura Kumaraku. Ajo e ka cilësuar “ngatërresë” mosmbërritjen e përgjigjeve të testimeve të datës 12 shkurt, ndërkohë që pohon se deri tani nuk kanë ardhur as përgjigjet e datave 16 dhe 17.

Kumaraku deklaron se pas komunikimeve që kanë kryer sot me përfaqësuesit e Institutit të Shëndetit Publik, u është komunikuar se janë analizuar nga laboratori dhe do hidhen shumë shpejt në sistem. “Pasi të hidhen në sistem, deklaron Kumaraku- do të njoftohet pacientët”. Kumaraku e quan “ngatërresë” vonesën e përgjigjeve të testimeve, ndërkohë që pacientët duke mos ditur nëse janë “pozitivë” apo jo rrezikojnë seriozisht shëndetin duke mos marrë medikamentet e nevojshme.

Kumaraku gjithashtu ka deklaruar se vetëm gjatë muajit shkurt janë kryer 1164 testime me Rapid-test nga ku 558 prej tyre kanë rezultuar “pozitiv” dhe 415 testime me metodën PCR nga të cilat 167 kanë rezultuar “pozitiv”.

Shefja e shërbimit epidemiologjik në Njësitë Vendore të Shëndetit Publik në Berat, Laura Kumaraku ka deklaruar se nga të gjitha testimet e kryera këtë muaj në Berat përqindja e rezultateve “pozitive” ka qenë 48% e testimeve të kryera.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb