TIRANË

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi foli sot dhe për vonesat e pritshme pas ankimimit të disa forcave politike në KAS të vendimit të Komisionerit Shtetëror për fletën e votimit.

Celibashi tha se çdo ditë e humbur ndikon në procesin në tërësi. Ai u shpreh se nuk e kishte pritur gjithë këtë kundërshti dhe se në këtë moment më e rëndësishme është koha.

“Çdo ditë që ne humbasim në lidhje me atë se si do të jetë forma dhe vetëpërmbajtja e fletës së votimit natyrshëm që ndikon në proces në tërësi sepse do duhet që votuesit shqiptarë të kenë dijeni se si do jetë fleta e votimit. Nuk e kam pritur që do kishte kaq kundërshti mes palëve për përmbajtjen e fletës së votimit. Jemi në këtë situatë dhe të shpresojmë që palët do ta kuptojnë se më e rëndësishme është koha në këtë moment se sa si do jetë e organizuar fleta e votimit”, deklaroi Celibashi.

Ai tha se shpreson që KAS të vendosë sot për ankimimin e palëve, teksa iu drejtoi një apel edhe anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor.
“Shpresoj dhe do dëshiroja një konsensus mbi vendimmarrjen e KAS-it, përndryshe do humbasim dhe disa ditë të tjera. Nëse do ankimohet në Kolegj vendimi i KAS, gjej rastin që t’i bëj thirrje anëtarëve të Kolegjit Zgjedhor që pa cenuar pavarësinë e tyre në këtë çështja ta shqyrtojnë sa më parë”, deklaroi Celibashi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb