TIRANË

Ministri i Shtetit për Diasporën Pandeli Majko bën përgjegjëse opozitën për çështjen e votës së emigrantëve për zgjedhjet e 25 prillit, ende e pazgjidhur.

Majko tha në “Real story” në Neës24 se KQZ është bllokuar, por se bëhet fjalë për një ngërç të njerëzve që nuk kanë guxim të hedhin hapin e fundit për një reformë pasi kanë frikë se pala tjetër, pra maxhoranca do të bëjë ndonjë manipulim.

“Më duket sikur po bëjmë të njëjtën bisedë si për ndryshimet e Kodit Zgjedhor. Ja ku jemi Kodi Zgjedhor është ndryshuar. Unë nuk po diskutoj të drejtën kushtetuese, por diskutoj zbatimin e ligjit që është një ligj që miratohet me 3/5 dhe që pret si hap të fundit, vendimmarrjet e KQZ. E vërtetë që KQZ është bllokuar por nuk duhet ta shikojmë si shmangie totale të historisë. Është një ngërç i zakonshëm, i njerëzve që nuk kanë guxim të hedhin hapin e fundit për një reformë. Ka një frikë të natyrshme se pala tjetër që po kërkon me insistim për këtë, pra pala jonë do të bëjë ndonjë manipulim me zarfat apo ku di unë që mua më duket absurde.
Shprehja vendbanim i përhershëm është shprehje ligjore. Janë definicione ligjore. Nuk jemi duke bërë ndonjë shpikje. Kemi bërë gjëra që kanë bërë dhe shtetet e tjera. Dhe shtetet e tjera ia kanë dhënë të drejtën e votës shtetasve me vendbanim të përhershëm.
Është një kontraktim që ka filluar prej kohësh dhe duhet ta kuptojmë si realitet.
Sot që flasim shpërndahen qindra pasaporta çdo javë në ambasadat tona sidomos në Greqi dhe Itali. Ajo 900 është histori i një momentit të caktuar para se të fillonte regjistrimi online. Kam folur me të gjendjes civile më kanë thënë janë disa mijëra. Nëpër konsullata, në gjendjen civile do jetë një proces që do ta ripërtërijë veten e tij në një kohë të shkurtër.
Pas 2017 mos u largua gjë opozita nga Kuvendi, u bllokua i gjithë procesi. Po flasim për një KQZ i cili me të drejtë të thotë jam në limitin e kohës. Deri këtu e kuptoj, por jo atë që iu çon letra partive dhe iu kërkon opinion për zbatimin e ligjit. Në asnjë rast, në asnjë vend, për asnjë arsye nuk kërkohet opinion për zbatimin e ligjit. Kush është teatri? Qëndrimi i PS është ne jemi për votimin e shtetasve tanë jashtë vendit në këto zgjedhje. Ne presim dhe përfaqësuesi i PS në KQZ thoshte sillni variantin që doni ju nga opozita kurse përfaqësuesi i opozitës thoshte jo, unë kam rezerva, ne nuk kemi garanci se do respektohet vullneti a ku di unë.
Çfarë do ndryshojë ky 900 vetëshi. Në 2003 kur filloi plotësimi i pasaportave, ju garantoj që edhe njerëz seriozë nuk e kanë dhënë adresën si duhet. Ne jemi në mes të procesit të ndërrimit të pasaportave, jemi në mes të një pandemie, në mes të një situate që është në presionin e kohës. Që në qershor jam takuar me KQZ që priste të largohej. Në gusht kemi pasur takime me OSBE”, deklaroi Majko.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb