Kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka qenë në krye të protestuesve që pas protestës tek parlamenti i janë drejtuar Kryeministrisë. Në një prononcim përgjatë marshimit, Kryemadhi tha se Rama është skenaristi i asaj që ndodhi në vitin 2017.

“Rama është regjisori, skenaristi i gjithë procesit makabër të zgjedhjeve të 2017. Këtë nuk e kemi vërtetuar ne, por prokuroria shqiptare, mediat e huaja. Në dosjen 184 në ato përgjime Rama ka treguar dhe demaskuar skemën e votave në këmbim të parcelave të hashashit, atë që përdori në 2017”, tha Kryemadhi.

Ajo theksoi se shqiptarët janë të zotët që të marrin fatet në dorë.

“Në shtëpinë time nuk vjen dot të bëhet zot komshiu. Tani dhe deklarata mbi demokracinë kemi dëgjuar pafundësisht. Por kanë zbatuar të kundërtën e asaj që kanë deklaruar. Nëse të gjithë këta ambasadorë që janë këtu dhe flasin për demokracinë do iu japin bukën e përditshme shqiptarëve… të gjithë këta njerëz presin nga politika e vendit të tyre. Ambasadorët ikin dhe vijnë, rrinë dy vjet, tre vjet, kthehen si mbretër. Shqiptari duhet ta konsiderojë Shqipërinë si shtëpinë e vet”, deklaroi kryetarja e LSI.

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi tha se Edi Rama doli sot përpara shqiptarëve dhe i gënjeu pa pikë turpi.

“Rama sot bëri hipokritin.  Ne nuk jemi kundër Europës. Ne kemi votuar reformën në drejtësi dhe asnjë pikë nuk është plotësuar. Si mund të ketë reformë zgjedhore kur bandat blejnë votat. Bandat kriminale në bashkëpunim me zyrtarët blenë shqiptarët”, tha Kryemadhi.

Monika Kryemadhi tha se Edi Rama bën politikën e bashkëpunimit me bandat e krimit.

“Edi Rama bën politikën e bandave të krimit. Bandat në bashkëpunim me shtetin kanë blerë shqiptarët. Shqiptarët po marrin arratinë kudo në Europë dhe më tej, sepse nuk shikojnë këtu as shpresë, asgjë, sepse vendi është marrë peng nga bandat e rrugës. Sa djem nënash ka që nuk dihet se ku janë. Shqipëria po lëngon. Ambasadorët ikin e vijnë, shqiptarët mbeten dhe për ta, Rama nuk po bën asgjë, por kryeministri po iu shkatërron jetën”, tha Kryemadhi.

(d.xh/ BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb