TIRANË

Deputetja e LSI-së, Klajda Gjosha, e ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24 ka folur sot për procesin e Integrimit të Shqipërisë drejt familjes së madhe të Bashkimit Europian.

Ajo në fjalën e saj përshëndeti Parlamenti Europian, i cili votoi me 459 vota raportin e vitit 2018 për Shqipërinë, si një mundësi për hapjen e negociatave në qershor të 2019.
Ish-ministrja e Integrimit theksoi se një ndër problemet bazë të Shqipërisë mbetet reforma zgjedhore, e cila ka pesë vite që pret në sirtaret dhe kjo sipas saj është një ndër pikat kyçe të anëtarësimit drejt BE-së.

“Parlamenti Europian ka qenë mbështetëse i Shqipërisë dhe të gjithë Ballkanit.Unë e kam thënë se për ne negociatat janë jetike. Pavarësisht mesazheve pozitive qe jep PE nuk është se Shqipëria ka shkëlqyer në 5 detyrat kyçe. Unë sërish e përgëzojë dhe në të gjithë fazat duhet të marrim përgjigje pozitive.

Reforma zgjedhore ka mbi 5 vite që pret. Sepse OSBE dhe rekomandimet e saj vijojnë të mbeten në sirtare dhe askush nuk shikon për t’i miratuar. Opozita e ka dhënë votën e saj, tashmë është vullneti i mazhorancës për të nisur në implementimin e saj. Është kollaj të thuash se faji është i opozitës.

Çështja është se si ne duhet të largojmë shit-blerjet e votave. Ne mund të shkojmë në Kuvend për ta votuar, e cila në radhë të parë duhet ta garantojë votën e qytetarit. Gurët luhen atëherë kur nuk ke bërë detyrat e shtëpisë. Atëherë luhet kjo karta e shfrenuar e nacionalizmit, patjetër që ka edhe një presioni që i vendoset PE. Aspirta e shqiptarëve është bashkimi Europian.

Në vend që këto dy shtete të fokusohen të bashkëpunimi, tek forcimi i tregjeve. Bashkimet e kufijve janë tema që hidhen në tryezë, të cilat behën për të larguar vëmendjen nga një sërë çështjesh. Numri i madh i azilkërkuesve, që Shqipëria ka tek vendet më kryesore të BE-së është problem i madh. T’i je i detyruar t’ia njohësh pronën, ti duhet ta njohësh dhe ta respektosh atë, duke respektuar ligjin dhe qytetarin”, tha Gjosha.

Gjithashtu ish-ministrja Gjosha foli edhe për deklaratat nacionaliste të Kryeministrit Rama ditë më parë në Pejë, të cilat i quajti si presione të panevojshme për BE-në.  Mes tjerash deklarata  e Ramës në mbledhjen mes dy qeverive në Pejë i cilësoi si përpjekje për të fshehur disa detyra që në fakt nuk janë kryer siç duhet.

Për ish-ministren e Integrimit është shumë e rëndësishme që Europa të fus brenda vetes edhe vendet e Ballkanit, sepse vetëm kështu shton ajo, BE bëhet edhe më e fortë.

“Negociata kanë problem themelor çështjen e pronës. Këto janë disa detyra që duhet të bëjë Rama dhe jo t’i bëjë presion BE me deklarata nacionaliste. Duhej të luhej me rezultate konkrete, kjo do të ishte karta më e mirë. Opozita ka vetëm fjalën, e falënderoj median, e cila na jep mundësinë që të shprehemi në formë dikrekte për të përçuar zërin tek qytetarët. Është e rëndësishme që në muajt në vijim, qeveria duhet të orientohet tek 5 pikat kryesore, përfshirë edhe ekonominë. Borxhi publik po fshehet.

Nëse një fëmijë lind sot, ai ka një borxh 3 mijë euro. Ka shumë punë për të bërë, opozita duhet të ngrejë çështjen, por nuk mjafton kjo duhet edhe një dorë për të na mbështetur. Kjo në fakt ka munguar.
Nuk e imagjinojë një Bashkim Europian të plotë pa përfshirë edhe vendet e Ballkanit. Ne kemi nevojë për një kontroll shumë herë më të fortë dhe e besoj se procesi i integrimit ka vënë në një linjë disa gjëra”, shtoi ajo.

Intervista e plotë e Klajda Gjoshës:

E nisim me komentin tuaj mbi miratimin nga Parlamenti Evropian, të raportit për Shqipërinë,raport pozitiv, aq pozitiv ishte dhe qasja drejt çeljes së negociatave përkundër mesazheve të ashpra, le të themi, që dërgoi Kryeministri Rama ndaj Brukselit. Si e patë këtë?
Është një raport që paraqitet për herë të tretë përpara Parlamentit Evropian, pra nuk është një risi. Pra, le të themi Parlamenti Evropian ka qenë gjithnjë një mbështetës i procesit të integrimit të Shqipërisë, por edhe të gjithë Rajonit apo Ballkanit Perëndimor dhe është për t`i përgëzuar dhe falënderuar të gjithë përfaqësuesit e Parlamentit Evropian sepse ata janë një zë i fuqishëm i shtyrjes së këtij procesi për të gjithë ne, ashtu sikundër është edhe komisioni Evropian.

Problemi për në asnjëherë nuk ka qenë Parlamenti apo Komisioni, por ka qenë Këshilli. Pra, akt që bëjë shumë herë më një veprim më të thelluar dhe analizuar që bëhet pikërisht nga liderët e 28 vendeve anëtare, aty ku diskutohet realisht ecuria e Shqipërisë dhe ku preken shumë çështje, shumë herë më të thelluara se sa ç’mund të diskutohet në një raport të përgjithshëm në Parlamentin Evropian.

Megjithatë, është një hap patjetër dhe unë e kam thënë gjithnjë që për ne negociatat janë jetike, sepse në një vend ku mungon kultura e mirëqeverisjes dhe ku shpeshherë liderët marrin disi pamje autokratike, të gjithëve u pëlqen që të shkojnë drejt këtij drejtimi, negociatat janë i vetmi moment ku mund ta drejtojnë Shqipërinë në atë kornizën e rregullave dhe standardeve, të cilat sot ne fatkeqësisht nuk i kemi.

Pavarësisht mesazhit pozitiv që jep Parlamenti Evropian, nuk është se Shqipëria ka ndriçuar në të 5 prioritetet apo në të gjithë kriteret që kërkohen nga vetë Bashkimi Evropian. Sot kemi shumë diskutime, si për çështjet e krimit të organizuar, çështjet e korrupsionit, Reforma në Drejtësi e cila deri diku është e penguar, për mos të thënë që sistemi momentalisht është në një kolaps total dhe këtu ka shumë çështje për tu diskutuar.

Mungesa e Gjykatës Kushtetuese e kështu me radhë, duke qenë e duke e bërë Shqipërinë një vend unik le të themi pa një Gjykatë Kushtetuese dhe pa një Gjykatë të Lartë. Dhe ka pyetje të mëdha. Megjithatë, unë sërish e përgëzoj dhe uroj që në të gjitha etapat, pse jo ne të marrim një përgjigje pozitive pavarësisht se unë e kam parë gjithmonë me skepticizëm duke parë jo vetëm situatën e brendshme të Shqipërisë, duke analizuar së brendshmi, por duke parë dhe realitetin \se çfarë do të ndodhë me vetë Bashkimin Evropian vitin që vjen, me zgjedhjet që ato kanë. Do të kemi një ndryshim të lidershipit le të themi apo të drejtimit të vetë presidencës evropiane dhe të zgjedhjeve në parlament.

Ndalemi pak te apeli që është bërë nga raportuesi për Shqipërinë Knut Fleckeinstein. Sigurisht dhe ai vlerësoi dhe atë që ndodhi me miratimin e raportit për Shqipërinë, por ndërkohë tha se Shqipëria duhet të ecë përpara. Duhet të jetë bashkë politika që t`i kryejë këto reformat e domosdoshme,një prej të cilave është Reforma në Drejtësi, por edhe Zgjedhorja nuk është më pak e rëndësishme. Do kemi një parlament konstruktiv tha Fleckeinstein, në mënyrë që të çelen negociatat në 2019-n…

Kjo thirrje dhe ky apel është më se i drejtë. Dëgjohet si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca. Shqiptarët e kanë një aspiratë dhe unë besoj që të gjithë biem dakord që është aspirata evropiane. Po përtej kësaj, ne duhet të mësojmë të respektojmë një shtet të pavarur që është Kosova.

Ka 10 vjet që Kosova është shtet i pavarur dhe për sa kohë ne vazhdojmë t`i kërkojmë dhe Serbisë dhe vendeve të tjera që ta njohin Kosovën, besoj që Shqipëria të paktën duhet të ketë një rol rigoroz të heshtjeve dhe duhet të respektojë pavarësinë e Kosovës dhe mënyrën se si vetë Kosova është sot një shtet i pavarur ,e institucionet e saj dhe në rrugëtimin e saj në vetë perspektivën evropiane që ajo ka.

Më vjen keq se në vend që këto dy shtete të fokusohen te integrimi ekonomik, bashkëpunimi ekonomik, forcimi i tregjeve, ku këtu duhet të fillojë. Kjo është pjesa. Duam të themi bashkime dhe ndryshime kufijsh, këto janë teza të cila fatkeqësisht hidhen në momente kur liderët gjenden në vështirësi apo kur duan të tërheqin vëmendje për çështje të caktuara dhe për të larguar realisht vëmendjen nga ato çështje konkrete, me të cilat sot ndeshet vendi.

Po të lexojmë ne vetë raportin e Parlamentit Evropian apo që është miratuar sot në Parlamentin Evropian, pavarësisht të gjithë konotacionit pozitiv në të cilën ne e vendosim, sepse ata janë pro çeljes së negociatave. Po ta analizojmë ka probleme konkrete për azilkërkuesit.

Një numër të madh azilkërkuesish që Shqipëria ka pikërisht në vendet më kryesore të BE që janë Franca e Gjermania. Mos të harrojmë që Franca ka pasur një zë të fortë në takimin e fundit të Këshillit për këtë çështje. Kemi një çështje që është jashtëzakonisht shumë e ngritur prej vitesh, por që sot është më reale se kurrë, që është çështja e pronës. Është e drejtë themelore e njeriut.

Ajo që kemi parë te Unaza e Re ka të bëjë pak edhe në atë raport pra është e kuadratuar edhe në raportin e miratuar nga Parlamenti evropian, ku thuhet se duhet zgjidhur njëherë e mirë. Çfarë do të thotë të zgjidhesh njëherë e mirë? Ti je i detyruar t`ia njohësh pronën çdo qytetari për sa kohë ti ke lejuar që ai të ndërtojë në atë vend të caktuar dhe nuk e ke ndaluar atë. Për sa kohë ti i ke marrë taksën këtij individi për 28 vite, ia ke njohur pronën automatikisht ndaj dhe duhet ta respektosh.

Nëse do të ndërtosh dhe ta zhvillosh vendin është e drejta e çdo kujt që duhet ta bëjë, por ama duke respektuar individin dhe qytetarin. Po të shikojmë, është pikërisht kjo çështje edhe në raportin e Parlamentit Evropian të miratuar sot. Për të mos shkuar pastaj tek çështjet që opozita i ka ngritur me forcë siç janë çështjet e krimit të organizuar. Janë çështje madhore, të cilat nuk cenojnë vetëm Shqipërinë brenda saj, por cenojnë rajonin dhe sigurinë evropiane.

Të gjitha këto përbëjnë thelbin e asaj çka duhet të merret kryeministri Rama dhe shteti shqiptar dhe jo të sjellë ide nacionaliste të bashkimit kombëtar për të bërë presion kundrejt Evropës. Unë nuk jam me këtë, kam qenë ministre Integrimi prej katër vitesh, të gjitha kartat mund të luhen, por Shqipëria nuk ka qenë kurrë në këtë lloj pozicioni për të luajtur këto karta, por duhet patjetër të forcojë shtetin e së drejtës, institucionet, demokracinë. Kjo është ajo në fund të fundit për të cilin lufton dhe shpreson çdo shqiptar të ketë në vendin e tij në mënyrë që të mos largohet diku tjetër për të gjetur një jetë më të mirë.

Çfarë karte duhet të luante Shqipëria tani për të përftuar në fund atë të gjithë synojnë?
Absolutisht duhet të luhej më rezultatet konkrete të pesë prioriteteve kyçe, dhe unë besoj se disa prej tyre dhe i përmenda pak më parë. Kjo do të ishte karta më e mirë.

Mirëpo, situata politike në vend është realisht kaotike, kështu që i bie që këto rezultate deri diku janë të paarritshme dhe se kush e ka fajin pastaj kjo mbetet për t’u diskutuar…
Unë ju siguroj që opozita ka vetëm fjalën dhe e falënderoj median, të cilat na japin mundësinë të shprehemi në mënyrë direkte për të përçuar mesazhin tonë tek qytetarët shqiptarë. Ekzekutivi ka punën dhe ka rezultatet, prandaj ne kemi ministra, të cilët përgjigjen, edhe para palës evropiane pikërisht për këto çështje që ne po diskutojmë sot. Prandaj, është shumë e rëndësishme që në muajt në vijim qeveria të fokusohet pikërisht tek këto rezultate dhe tek çështjet që kanë të bëjnë me pesë prioritetet kyçe, por edhe me ekonominë.

Mos harrojmë që procesi i integrimit nuk është vetëm proces politik, por është një proces ekonomik. Dhe mbi të gjitha ajo çfarë ka ngritur si çështje madhore Bashkimi Evropian është pikërisht PPP-të, fshehja e borxhit që qeveria e thotë që është 68 për qind por që në fakt arrin në 80 për qind. Nëse do bëjmë një analizë të thellë të investimeve nëpërmjet PPP kjo është e rëndë sepse në fund të fundit cila është dhurata që qeveria u bën qytetarëve shqiptarë apo fëmijëve tanë. A e dini ju që një fëmijë që lind sot, lind me një borxh prej tre mijë euro? Për çdo individ që sillet në jetë.

Pra, e nis jetën me tre mijë euro borxh kundrejt buxhetit të shtetit. Imagjinoni se sa do të rritet kjo shifër në vitet në vijim nëse do të vazhdojmë me këto ritme. Ndaj mendoj se ka shumë punë për të bërë dhe nuk besoj që është vetëm faji i opozitës. Patjetër që ne kemi detyrën tonë t’i ngremë çështjet por edhe të jemi konstruktivë aty ku duhet. Por, që të jesh konstruktiv të duhet edhe pala tjetër për të ofruar dorën për të shkuar aty ku duhet.

A mund të parashikoni se çfarë do ndodhë në maj në zgjedhjet evropiane?
Është e vështirë pasi shohim forca të djathta ekstreme që janë të rivitalizuara tashmë në disa nga vendet më kryesore të BE-së. Unë besoj që ato vazhdojnë ende të kenë një forcë të madhe, sidomos në Gjermani që është një nga vendet më kryesore dhe vendimtare përsa i përket procesit të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sepse ka qenë lokomotivë e vendeve të tjera. Besoj që Parlamenti Evropian mund të ketë një lloj ndryshimi në numrat dhe në përbërjen e saj me forcat e djathta.

Nuk besoj që do të jenë vendimmarrëse për proceset e aq më tepër për vendin tonë dhe për vendet e rajonit. Megjithatë ato rrezikojnë të kenë zërin e tyre të fortë brenda Parlamentit Evropian. Unë nuk e imagjinoj dot një Evropë të bashkuar pa Ballkanin brenda. Është një projekt i paplotë dhe gjithmonë do të sjellë rreziqe.

Projekti duhet të jetë edhe konkret, dhe që të jesh i tillë do të thotë që këto vende që kanë probleme kaq të mëdha siç është Shqipëria, duhet që procesi i reformave të vazhdojë duke qenë brenda Bashkimit Evropian. Besoj gjithmonë që ne kemi nevojë për një kontroll shumë më të fortë dhe e besoj fortë që procesi i negociatave do të jetë ai që mund ta vendosë Shqipërinë brenda në korniza.

 

(n.m/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: