Ish-ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto, në një lidhje telefonike në emisionin “Real Story” në “News 24”,i pyetur se përse qeveria shqiptare e asaj kohe ka votuar “pro” raportit të Dick Martyt në Këshillin e Europës, deklaroi se votimi ishte i koordinuar mes anëtarëve të delegacionit shqiptar.

Haxhinasto theksoi se qeveria e kohës kurrë nuk ka mbështetur raportin e Dick Martyt, por ka votuar për hetime, me arsyetimin se “hetuesit nuk do të gjejnë dot asgjë”.

“Pjesëmarrja në Asamble ka qenë e delegacionit parlamentar. Ka pasur koordinim paraprak dhe ishte marrë vendimi që rezoluta do mbështetej, sepse e shikonim si mundësi që të largohej ajo re e zezë mbi Kosovën dhe Shqipërinë. Gjykoj se ka qenë vendim shumë i drejtë.

Raporti i Dick Marty kurdo nga ne është hedhur poshtë si i pabazë dhe i pavërtetë. Ne me votën tonë thamë “hetoni se këtu nuk keni asgjë për të gjetur”. Nuk ka përse të shfrytëzohet politikisht çështja”, tha Haxhinasto.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb