Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, i ka bërë thirrje qytetarëve të gjashtë bashkive, që po zhvillojnë sot zgjedhjet, që të votojnë, pasi sipas tij, vota vlen gjithmonë.

“Sot mbahen zgjedhjet e pjesshme për kryetar të Bashkive Shkodër, Dibër, Durrës, Vorë, Rrogozhinë dhe Lushnje. I drejtohem zgjedhësve të këtyre bashkive që të votojnë pas #VotaVlenGjithmonë”, shkruan Celibashi, në një mesazh të publikuar pak më parë në “Twitter”.

Ndërkohë, në një mesazh të publikuar më herët, Celibashi iu ka bërë thirrje subjekteve zgjedhore që të zgjidhin situatën e ngërçit në bashkinë e Vorës, lidhur me anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit me të drejtë propozimi nga Partia Demokratike.

Përmes një postimi në Twitter Celibashi thekson se respektimi i Kodit Zgjedhor është e vetmja mënyrë që garanton integritetin e zgjedhjeve dhe ftoi të gjitha subjektet që të shmangin pretekstet dhe ta respektojnë atë.

“Nxisim subjektet zgjedhore që kanë të drejtën e caktimit të anëtarëve të KQV-ve të Bashkisë Vorë të zgjidhin situatën e ngërçit lidhur me anëtarët e komisioneve të qendrave të votimit me të drejtë propozimi nga Partia Demokratike. Respektimi i dispozitave të Kodit Zgjedhor plotësisht dhe qartësisht është e vetmja mënyrë për të garantuar integritetin e procesit zgjedhor dhe shmangien e çdo preteksti”, shkruan Celibashi në Twitter.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb