Armando Duka, presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit nuk ia ka dalë të fitojë një vend në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, në zgjedhjet e mbajtura sot në Kongresin e 41-të, punimet e të cilit po zhvillohen në Helsinki të Finlandës.

Nga votimet rezultoi se 25 votat nga 55 anëtare nuk ishin të mjaftueshme për të fituar 1 nga 8 vendet në Komitetin Ekzekutiv. Numri i futbollit shqiptar u rendit i 9-i. Në garë u futën 13 kandidatë, por 2 prej tyre u tërhoqën përpara votimit, duke e bërë më të thjeshtë garën për presidentin e FSHF-së, e cila në fund gjithsesi u humb.

Kandidati i renditur në vendin e 8, pra fituesi i fundit në këtë garë, ishte turku Servet Jardëmxhë, i cili grumbulloi 34 vota, 9 më shumë se Duka.

Kongresi i UEFA-s gjatë punimeve të sotme miratoi edhe vendimet që si presidenti i kësaj organizate, ashtu edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, të mos shërbenin më shumë se tre mandate në këto poste të zgjedhura. Njëkohësisht, pjesëtarët e Ekzekutivit, duhej të mbanin post drejtues aktiv në Federatën përkatëse, në mënyrë që të ishin të përfshirë në realitetin e futbollit.

(e.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb