Nënkryetarja e KQZ, Lealba Pelinku, foli në një intervistë për gazetarin e “News24” dhe “BalkanWeb”, Ergys Gjençaj, lidhur me procesin e votimit.

Duke u ndalur te votimi elektronik, që po aplikohet në këto zgjedhje vetëm te Njësia nr. 10, në Tiranë, Pelinku theksoi se në zgjedhjet e ardhshme ky lloj votimi do të jetë një sukses 100%.

“Infrastruktura ligjore është e shtruar. Është gjithë koha e nevojshme për ta organizuar. Kur KQZ ja doli në tre muaj, jam e bindur se në zgjedhjet e ardhshme votimi elektronik do të jetë një sukses 100%”, tha nënkomisionerja.

Më tje, ajo foli për tërheqjen në momentet e fundit të disa operatorëve elektronikë, duke thënë se ndonëse nuk ka prova, nga informacionet e marra, ata janë tërhequr nga presioni.

“Disa zona nuk u mbuluan dot me operatorë, përkatësisht zona të thella. Duke pasur parasysh që ishte një projekt, që si asnjëherë u implementua, në një hark kohor tejet të shkurtër, faza e rekrutimit të trajnerëve e ka ndjerë vështirësinë e kohës, ndaj e patëm të pamundur të arrinim t’i mbulonim të gjitha qendrat. Por, është një shifër vërtet e kënaqshme. Ka pasur raste, kur operatorët janë tërhequr, por janë tërhequr në kohë dhe kemi pasur kohë t’i zëvendësojmë. Problem ishte për 2-3 raste, kur u tërhoqën në momentet e fundit dhe KQZ e pati të pamundur t’i zëvendësojë. Kemi informacione, të pakonfirmuara me prova, që janë tërhequr për shkak të presionit, që iu është bërë. Por ngelet një numër shumë i ulët i operatorëve, që janë tërhequr në momentet e fundit”, u shpreh ajo.

E pyetur nga gazetari, nëse ka pasur raste, kur qytetarët janë paraqitur për të votuar dy herë, Pelinku theksoi se “Po, ka pasur situata kur dikush paraqitej dhe rezultonte se ishte identifikuar më parë. Pajisja në këtë pjesë nuk gabon dhe kjo ka shumë mundësi që lidhet me fenomenin, kur dikush tjetër të ketë përdorur mjetin e identitetit të personit”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb