Kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, në një intervistë për emisionin “Kjo Javë” në News24, foli për përgatitjet për zgjedhjet parlamentare të 11 majit dhe veçanërisht për procesin e votimit dhe numërimit elektronik, që po vijon të aplikohet pjesërisht si projekt pilot.

Celibashi tha se pas përfundimit të zgjedhjeve do të bëhet një analizë për të parë nëse kjo mënyrë votimi duhet të zgjerohet në të ardhmen. Ai theksoi se Partia Demokratike kishte shprehur skepticizëm për përhapjen më të gjerë të votimit elektronik, ndaj KQZ vendosi ta mbajë në fazë prove. “Avantazhet e kësaj metode janë të qarta, por do ta vlerësojmë bazuar në rezultatet konkrete të këtij procesi,” u shpreh ai.

Ai theksoi se aspekti teknologjik është i garantuar dhe nuk ekziston asnjë mundësi ndërhyrjeje nga jashtë, pasi pajisjet nuk janë të lidhura me internetin. Gjithashtu, çdo tavolinë numërimi do të jetë e monitoruar me kamera dhe procesi do të regjistrohet tërësisht, duke garantuar transparencë maksimale.

Celibashi apeloi ndaj komisionerëve që të sillen me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke u distancuar nga bindjet politike. “Kjo është një thirrje publike: çdo komisioner të ketë ndërgjegjen që kjo detyrë është mbi çdo interes partie. Asnjë devijim nga ligji nuk do të tolerohet,” tha ai.

Për të rritur besimin, KQZ ka kryer testime teknike në 100% të pajisjeve, përpara dhe do të kryejë të tjera pas zgjedhjeve, ndonëse ligji kërkon vetëm 10%. Celibashi sqaroi gjithashtu se partitë do të kenë mundësinë të verifikojnë përputhshmërinë mes rezultatit digjital dhe atij të printuar në kutitë fizike.

“Do të adresojmë në mënyrë transparente çdo pretendim për votimin elektronik. Kemi bërë dhe do të bëjmë çdo test të nevojshëm për të garantuar integritetin e procesit,” përfundoi Celibashi.

Celibashi: Do duhet të presim përfundimin e këtyre zgjedhjeve për të parë nëse vlen për ta zgjeruar me tej votimin dhe numërimin elektronik.

Pati skepticizëm nga PD për ta shtrirë më shumë këtë mënyrë votimi dhe e konsideruam të përligjur këtë pretendim kur forca kryesore e opozitës kishte skepticizëm dhe i qëndruam zhvillimit të projektit pilot për votimin dhe numërimin elektronik me qëllimin për ta zgjeruar në vijim për avantazhet që prodhon.

Aspekti teknologjik ka qenë i mbuluar në këto zgjedhje dhe besoj se gjërat janë ok. Sa i përket komisionerëve, mënyra si vendosen në këtë detyrë, kemi realizuar një trajnim shumë më të mirë se herët e tjera dhe shpresoj të sillen të përgjegjshëm si garantë të votës së shqiptarëve, se sa si përfaqësues të partive që i kanë propozuar si komisionerë.

Shfrytëzoj rastin për një thirrje publike që të kenë ndërgjegjen që këtë përgjegjësi ta ushtrojnë sipas ligjit dhe nuk tolerojmë asnjë sjellje të tyre që mund të vërë në dyshim integritetin e procesit zgjedhor dhe numërimit.
Pajisjet s’janë të lidhura me internetin dhe nuk ka mundësi që të ketë ndërhyrje nga jashtë tek pajisjet e votimit dhe identifikimit elektronik.

Edhe procesi i numërimit karakterizohet nga të njëjtat standarde sigurie dhe monitorohet me kamera në cdo tavolinë numërimi. Në këtë mënyrë edhe ata kandidatë që paraqesin një frikë të shtuar për numërimin dua t’i garantoj se KQZ ka marrë masat që mos të ketë problematika në numërim, që me pak fjalë të ndodhë që votat e X të shkojnë tek Y.

Do regjistrohet edhe procesi i numërimit të fletëve të votimit për partitë dhe koalicionet dhe do filmohet sërish për numërimin e votave të kandidatëve. Ka patur raste që u jemi rikthyer testimeve. Në rastet kur kemi parë probleme janë shfaqur i kemi adresuar dhe i kemi ritestuar.
Në mënyrë transparente do adresojmë çdo pretendim që do ketë çdokush me votimin elektronik. Ne zhvillojmë teste të këtyre pajisjeve para dhe pas zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve ligji të detyron që 10% e pajisjeve t’u nënshtrohen testimeve.

Ne e kemi bërë për 100% të pajisjeve. Do e bëjmë sërish këtë për 100% të pajisjeve që do përdoren në këto zgjedhje. Partitë politike do kenë mundësi të bëjnë krahasimin mes votave digjitale dhe atyre të printuara në kutitë e votimit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb