TIRANË- Deputeti i LSI-së Edmond Panariti është një prej deputetëve sipas Kuvendit që i ka ndërruar kartën e votimit kolegut të tij Robert Bitri para votimit të projektligjit për Teatrin Kombëtar, çka më pas solli që ai të votonte me kartën e Vangjel Tavos.

Por në një reagim, Panariti e quan këtë deklaratë të sekretariatit të Kuvendit, mashtrim mjeran dhe e fton kolegun e tij Bitri të dëshmojë se ka përdorur kartën e tij në momentin e uljes në vendin e tij.

“Nuk arrij ta besoj!! Një spekulim dhe mashtrim mjeran përmendja e emrit tim si deformues i procesit te votimit. Ftoj kolegun deputet Robert Bitri, në emër të integritetit të tij të dëshmojë se ai e ka përdorur kartën e tij të deputetit në momentin e uljes në vendin e tij dhe kjo është lehtësisht e provueshme… Kaq”, shkruan Panariti.

Panariti fb

Gjithë çështja nisi pasi në emrat e atyre që votuan projektligjin për teatrin, u shfaq edhe emri i Vangjel Tavos, por deputeti i LSI-së nuk ishte i pranishëm në seancë.

Për këtë arsye LSI dhe PD kërkuan anulimin e votimit duke e quajtur të pavlefshëm. Por sot sekretariati i Kuvendit pasi shqyrtimit të kërkesës vendosi të mos e pranojë kërkesën e LSI dhe PD, pasi sipas tyre dy deputetët Endrit Brahimllari dhe Edmond Panariti i kishin ndërruar kartën kolegut të tyre të LSI-së Robert Bitri me kartën e deputetit Vangjel Tavo.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb