TIRANE– Komisioni parlamentar i Veprimtarive Prodhuese, ka miratuar në mbledhjen e sotme dekretin e ish-Presidentit Bujar Nishani që ktheu në Kuvend ligjin e mbetjeve. Deputetët socialistë Eduard Shalsi dhe Besnik Bare abstenuan.

“Nuk e ndryshoj idenë time pasi bëhet fjalë për import të lëndëve dytësore”, tha Shalsi, i cili është edhe propozuesi i amendamentit për ligjin e mbetjeve.

Ai shtoi se “Nuk bëhet fjalë për import mbetje. Por import i lëndëve të para për industrinë e riciklimit. S’është kjo mënyra sesi ne debatojmë me njëri-tjetrin, duhet të flisnin më shumë specialistët se deputetët. Vendimi do merret nga seanca e së enjtes”.

Pak ditë më parë në këtë komision, Shalsi njoftoi se nisma e tij do të tërhiqet nga punimet e Parlamentit.

Ndërsa sot, në mbledhje e grupit parlamentar të PS, kryeministri Edi Rama tha se tërheqja e kësaj nisme nga Kuvendi nuk bëhet për t’i dhënë të drejtë atyre që e kundërshtojnë, duke përfshirë këtu edhe ish-Presidentin Nishani, por që të gjithë qytetarët të informohen për këtë ligj.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb