TIRANE- Në emër të Partisë Demokratike, Jamarbër Malltezi kritikoi sot sezonin turistik 2015-të, duke vënë në pah problematikat. Sipas tij, pushuesit shqiptarë përballen ende me probleme bazike si mungesa e ujit dhe e energjisë elektrike.

“Në kulmin e sezonit turistik shqiptarët dhe turistët po përballen me çështje bazike që mendonim të ishin kaluar prej shumë vitesh. Durrësi dhe gjithë zona turistike rreth tij po përballet me mungesa uji qysh prej shumë ditësh, ndërsa gjithë bregu i Jonit dhe mbarë vendi vuajnë ndërprerjet e stërzgjatura të energjisë elektrike që i kishim harruar prej vitesh.

Në këtë sezon turistik patëm dhjetra risi aspak të këndshme:

1. Maskat plaçkisin në mes të ditës pranë Aeroportit.

2. Gjithë bregdeti është falas-djegas për drita përditë.

3. Uji konsiderohet luks ndaj vjen me orare të shkurtuara në gjithë bregdetin.

4. Radhë kilometrike për pushuesit kryesorë që na vijnë nga Kosova.

5. Asnjë impiant i ri për trajtimin e ujërave të ndotura në zonat bregdetare.

6. Bingo bën ai që gjen një plazh të vetëm publik të mirëmbajtur.

7. Kemi kulla vrojtimi por pa roje dhe rrezik i shtuar për pushuesit që mund të genjehen nga fasada.

8. Më lirë kushton një dhomë hoteli në Greqi se një çader e dy karrige tek plazhet private që ndajnë paratë me koçot dhe oligarkët në Jon.

9. Asnjë rrugë e re në zonat turistike.

10. Udha e Kombit ka mbetur pa përfunduar për vetëm 2 km dhe qeverisë nuk i dalin 2 vjet për të mbaruar 2 km rrugë që rrezikon jetët e turistëve kryesore që vijnë në Shqipëri.

11. Skandale në paraqitjet ne panairet nderkombetare të turizmit ku ne Expo 2015 ne Milano, Shqiperia u paraqit me vere siciliane, ndërsa ne Oslo me stendat bosh. Paratë për prezantimin e Shqipërise në panairet ndërkombetare u përlanë nga vëllezërit e qeveritarëve”,- permendi ai.

Ndër të tjera ai kritikoi edhe ligjin e Turizmit, të cilin e ktheu dje edhe Presidentin.

“Në kulmin e këtyre mungesave qeveria prezantoi si zgjidhje ligjin e ri për turizmin që në thelb dhunon Kushtetutën lidhur me të drejtën e qeverisjes vendore për administrimin e territorit, dhunon pronën private dhe sigurinë juridike duke shpërfillur të drejtat pronësore të qytetarëve dhe dhunon ligjin e prokurimeve publike ku neni 30 pika 4 shprehet “Fondi për turizmin nuk i nënshtrohet legjislacionit të prokurimit publik”, thënë shqip, vidhen me ligj paratë publike duke u ndarë mes zyrtarëve të Edi Ramës.
Qeverisja e dyshes Rama-Meta po na çojnë shumë prapa në kohe, kur në kulmin e sezonit turistik në 2015 bëjmë pyetjet që i kishim harruar prej 10 vitesh si; “A ka drita? Po ujë?” Për Partinë Demokratike dhe Shqiptarët këto bjerrje të standardeve janë të papranueshme”.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: