Nga KLODIANA LALA*

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg” për Kristi Pinen e Aleksandër Gorën, të dyshuar për vrasje me pagesë. Seancat u zhvilluan me dyer të mbyllura për shkak të sekretit hetimor, pasi njëri prej të dyshuarve, Kristi Pine ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë në këmbim të statusit të të penduarit.

Pine dhe Gora, dyshohen për disa ngjarje të rënda kriminale, të ndodhura në Tiranë, Durrës e Shkodër. Sipas Prokurorisë për Krime të Rënda, Pine në bashkëpunim me Gorën kanë tentuar të vrasin E.Çakmashin në nëntor të 2014-ës në zonën e Shkozës në Tiranë. Për fat, shënjestra ka mundur të mbijetojë. Dyshohet se vrasja e Çakmashit është tentuar të kryhet prej tyre, sigurisht me pagesë. 24-vjeçari Pine nga Elbasani, në bashkëpunim me Alfred Q, dyshohen për ekzekutimin e Ibrahim Manit në Shkodër në qershor të 2014-ës.

Ky krim sipas prokurorisë dhe rrëfimit të të penduarit është kryer me pagesë. Alfred Q, është i dyshuari kryesor i ngjarjes së ndodhur në rrugën “Budi” me 26 shkurt 2014, ku nga shpërthimi i një sasie të madhe eksplozive, mbeti i plagosur rëndë biznesmeni Armando Çeka, juristi Julian Çela, ndërsa Artur Sharra, vetëm mori dëmtime të lehta. Të dyshuarit për vrasje me pagesë, kanë pohuar se urdhrat vinin nga burgu dhe kanë dhënë emra konkretë, ndërsa lista e krimeve që dyshohet se kanë kryer është e gjatë, mes tyre vrasja e biznesmenit durrsak Leonard Murati në nëntor 2014-të. Pjesëtarët e këtij grupi dyshohen edhe për vendosjen e eksplozivit në farmacinë e babait të ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Në fakt, dje dy të dyshuarit si vrasës me pagesë nuk kanë dhënë asnjë dëshmi përpara Gjykatës për Krime të Rënda. Të dy u shoqëruan nën masa të rrepta sigurie dhe pasi u njohën me masën janë shoqëruar për në ambientet e paraburgimit.

DEKLERATA E ZYRTARIT

“Njëri prej të arrestuarve ka pranuar të bashkëpunojë me drejtësinë. Ai ka dhënë një dëshmi të gjatë dhe ka nxjerrë në dritë shumë fakte, të cilat po i verifikojmë hap pas hapi, me qëllim që më pas të firmosim një marrëveshje, për ti dhënë edhe statusin”, tha një zyrtar i lartë i Prokurorisë për Krime të Rënda. Mandej ai tha se ka dyshime të forta, që ky grup të ketë lidhje me ngjarjet e fundit kriminale të ndodhura në vend, siç është shpërthimi i ndodhur në farmacinë e Bashkim Tahirit.

Ndonëse, tejet të rezervuar thanë se një person tjetër, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet të ketë lidhje me grupin në fjalë. Burimet nuk saktësuan rolin e tij në grupin kriminal, por përpjekjet e dy ditëve të fundit, për ta çuar në pranga, duket se nuk kanë dhënë rezultat. Në kuadër të këtij hetimi, janë duke u kryer verifikimet në dy burgje të sigurisë së lartë, ku ka qëndruar së fundmi Admir Tafili, për të marrë mesa duket dëshmitë e të dënuarve që kanë ndarë qelinë me të, apo kanë qëndruar në të njëjtin sektor.

(Botuar sot në Gazetën Shqiptare)
(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb