Blindohet Elbasani dhe Tirana. Pak minuta pas vrasjes së 56-vjeçarit Pjerin Xhuvani dhe plagosjes së katër personave, mes tyre një efektive, Tirana dhe Elbasani janë mbushur me forca të shumta policie. Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se janë disa të shoqëruar dhe në Tiranë dhe në Elbasan si persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen.

“Mes të shoqëruarve në Tiranë dhe Elbasan ka edhe eksponentë të të dyja partive dhe të PS-së dhe të PD-së, pasi nga hetimet që ka kryer policia para vrasjes ka pasur një debat në rrugën ‘5 maji’. Për këtë mosmarrëveshje është njoftuar policia që kishte mbërritur në vendin e ngjarjes dhe në prezencë të policisë ka ndodhur dhe krimi i rëndë, ku mbetën të plagosur 4 persona, mes tyre dhe një punonjëse policie.
Tre të plagosurit e tjerë janë transportuar në Spitalin e Traumës. Ndërkaq në të gjithë rrugët kryesore, hyrje-daljet në Elbasan dhe në Tiranë janë vendosur postblloqe policie. Anëtarë të shtabit elektoral nga të dyja palët, PS dhe PD janë thirrur në polici për të dhënë dëshmitë e tyre”, raportoi Bezat.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb