Familjarë dhe ish-të përndjekur politikë kanë përkujtuar në Gjirokastër një prej ngjarjeve më të rënda, ekzekutimin e 11 civilëve prej skuadrave partizane ne 1943. Masakra e 75 viteve më parë është ngjarje, e cila shënoi dhe fillimin e njërës prej periudhave më të errëta të ndëshkimit dhe eliminimit të antikomunistëve.

Mijëra vetë vuajtën dënimet prej vitit 1944 deri në vitin 1967 në burgun famëkeq të kalasë së Gjirokastrës që u kthye në simbol terrori për qytetin. Banorë të qytetit dëshmojnë se të ekzekutuarit pa gjyq u groposën në varre masive në pjesën e pasme të kalasë. Ende askush nuk di të thotë se ku gjenden këto eshtra ndërsa mungon njohja zyrtare dhe bërja publike e së vërtetës për fatin e tyre. Për Nebil Çikën, përfaqësues i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë kthimi i eshtrave të martirëve antikomunistë për familjet, është detyrim moral dhe e drejtë humane e tyre.

Arjeta Kokalari përfaqësuese e të përndjekurve lokalë dhe iniciatore e këtij aktiviteti, tha se ata që u sakrifikuan për idetë perëndimore të ndryshme prej komunistëve, ende persekutohen. Familjarë të viktimave që morën pjesë në aktivitetin përkujtimor, sollën momente tronditëse të krimeve të kryera nga komunistët. Kjo ngjarje e rëndë është lënë në heshtje gjatë regjimit komunist aq sa në Gjirokastër janë të paktë ata që e njohin atë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb