Duke marrë shkas nga ngjarja e pak ditëve më parë, ku Elton Metaj vrau me bukë në gojë ish-gruan e tij, Sabrina Bengaj, shoqëria civile në Elbasan organizoi një tubim proteste, duke u finalizuar me firmosjen e një peticioni që kërkon ndryshime në Kodin penal dhe ashpërsime të masave të dënimit në të tilla raste.

Dhjetëra gra dhe vajza u grumbulluan në sheshin kryesor të qytetit, duke mbajtur pankarta në duar që dënonin dhunën ndaj femrës. Organizatorja e peticionit, aktiviste e Shoqërisë Civile, Anisa Bahiti, foli për rëndësinë e peticionit dhe ftoi më shumë mbështetje nga gratë dhe vajzat për nisma të tilla. Ajo kërkoi ashpërsim të masave të parashikuara nga Kodi Penal për burrat që vrasin gratë dhe vajzat.

Ish-deputetja e Kuvendit të Shqipërisë, juristja Elena Xhina, pohoi se ligjet në Shqipëri janë të forta, por çalon zbatueshmëria e tyre. Xhina nënvizoi me shqetësim mos mbrojtjen e jetës së gruas, kur ajo disponon urdhër mbrojtjeje. Edukimi i meshkujve, por dhe vajzave, nis në familje e mandej konkretizohet në institucione arsimore.

Për dy pjesëmarrëset në aktivitet në profesion mësuese e pedagogë, familja është ajo që duhet të bëjë maksimumin në edukimin e fëmijëve, veçanërisht meshkujve. Nga Elbasani peticioni do të udhëtojë në të gjitha qytetet për të përfunduar më pas në parlament ku do të kërkojë firmën e deputetëve të kuvendit për ashpërsimin e sanksioneve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb