Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali e ftuar në emisionin “Kjo Javë” me gazetaren Nisida Tufa në News24 ka folur për situatën në vend, vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga një efektiv policie dhe protestat që pasuan si revoltë ndaj kësaj ngjarjeje. Spiropali tha se do të bëhet drejtësi për krimin dhe se polici është pas hekurave. Ajo akuzoi liderët e opozitës për përdorimin e minorenëve për akte kriminale.

“Nuk mund të kesh opinion tjetër në këtë ngjarje përveç humbjes së madhe të jetës një të riu. humbje e madhe, tragjike e pajustifikueshme. Ngushëllime të thella familjes, kam pasur rastin t’ia shpreh dhe nga afër familjes. Drejtësia do të bëhet, hetimi është plotë, transparent, me bashkëpunimin e plotë të policisë, SHÇBA-së dhe prokurorisë. Përgjegjësi do të ketë për këtë akt individual dhe të dënueshëm.

Ç’do të thotë drejtësi?
Ngjarja është dhe më e rëndë për ne sepse arma ishte e shtetit shqiptar. Kjo e rëndon rastin por kurrsesi nuk mund të përdoret si një arsye për të goditur policët, kriminalizuar policët, ata burra shqiptarë që shërbejnë, me një rrogë modeste për të na ruajtur, mbajtur rendin dhe forcuar ligjin në Shqipëri. Akti ishte tragjik dhe fjalët e babait të djalit të ndjerë e thonë më mirë, që unë dua drejtësi dhe i besoj shtetit. Një kthjelltësi e jashtëzakonshme dhe brenda një dhimbjeje të madhe. Shumë larg mentalitetit të egër shtetshkatërrues.

Si duhet të ketë besim tek policia shqiptare, rinia apo kushdo qoftë individ tjetër, nuk i ndalon thirrjes së policisë dhe pse duhet t’i ndalojë? Si mund t’i besojë?
Ajo nuk është rinia shqiptare që proteston në rrugë. Rinia nuk është një trup i vetëm që del në protestë. Janë të rinj dhe nga ajo që kemi parë në Shkodër, por dhe në Tiranë, të nxitur e manipuluar, është përdorim kriminal i të miturve në akte të rënda. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që të preket selia e ndonjë partie politike. Dhe në ‘97 selia e PD nuk është prekur dhe është mbrojtur nga ne. Ajo që ka ndodhur ka vendosur një vijë të qartë se kush është fytyra e Ilir Metës, Sali Berishës, Lulzim Bashës që janë të gatshëm ta kthejnë Shqipërinë në plaçkë dhe ta djegin pa brejtje ndërgjegje. Janë pasues, trashëgimtarë të traditës së shkatërrimit të shtetit. janë frymëzues të luftës së egër të luftës kundër institucioneve. Nuk mund ta pranojnë që historia do i nxjerrë jashtë.

Kjo pusetë që qelb shoqërinë shqiptare me gjuhën e urrejtjes, me akte urrejtje, dhune, të goditjes së institucioneve, selive të partive, i ka ardhur fundit. Është dëshpërimi i tyre, është dobësia e tyre dhe jo forca që po vepron. Të gjitha hapat e duhur po ndërmerren.

Cilat janë hapat e duhur? Edhe tani nuk kemi një komunikatë zyrtare që të zbardhë ngjarjen?
Ka disa deklarata. Ka nevojë për kthjelltësi jo t’i hidhet benzinë një zjarri që nuk ekziston. Efektivi i policisë është sot pas hekurave. E mbani mend si i fshihnin vrasësit dhe gardistët në kullë. Polici është pas hekurave. Nuk ka asnjë tentativë nga Policia e Shtetit, SHÇBA. Rrethanat i di prokuroria e shtetit, ajo është përgjegjëse për të hetuar, dhënë pretenca dhe gjykata për të dënuar.

Ajo që po ndodh që policia e shtetit është treguar bashkëpunuese. Ministri ka dhënë dorëheqjen. Përgjegjësi e plotë, përgjegjësi qytetare. Forcën tonë, qytetarinë nuk mund ta përdorin ata që i kanë vënë zjarrin shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb