NGA: Lediona Xheladinaj*

KORCE- Gjykata e Apelit në Korçë ka dënuar me 18 vite burg (12 me dënim të shkurtuar) 35- vjeçarin Elton Bregun, autorin e vrasjes së Klement Hoxhallarit në Pogradec, teksa luanin bilardo. Ndërkohë, Apeli liroi Redi Kazermën, i akuzuar për “moskallëzim krimi”. Ngjarja ka ndodhur në qershor të 2014-ës kur Klementi nga fshati Buçimas ishte duke luajtur bilardo me disa persona të tjerë në qendër të Pogradecit. Gjatë lojës ai është konfliktuar me Bregun dhe pas debatit të tensionuar, ky i fundit e ka qëlluar 28-vjeçarin me thikë në pjesë të ndryshme të trupit.

I plagosuri ka ecur rreth 200 m në drejtim të spitalit, por duke mos u ndihmuar nga askush, kishte humbur jetën në rrugë. Ndërkohë, në seancën e djeshme, të pranishëm ishin edhe familjarët e viktimës. Avokati i të pandehurve, Nevzat Tarelli kërkoi ulje dënimi dhe pohoi se nuk kemi të bëjmë me vrasje me paramendim, por vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes. Ndërsa, prokuroria e çështjes, Roza Qirjazi e ka cilësuar absurd argumentin e tij, duke shtuar se kemi të bëjmë me vrasje.

Pas dhënies së vendimit, familjarët e 28- vjeçarit kanë dhënë reagime të ashpra duke e cilësuar atë të padrejtë. Mes ulërimave dhe bërtitjeve, familjarët e Klementit hodhën akuza ndaj gjykatës, duke e quajtur atë të korruptuar, pasi sipas tyre liron kriminelët dhe godet të pafajshmit duke u “errësuar” nga paratë. Babai i viktimës, Nevzat Hoxhallari, i vrarë shpirtërisht nga humbja e djalit, si dhe nga vendimi që është dhënë për vrasësit e tij, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” shprehet se “gjykatat e korruptuara i lirojnë autorët”.

Zoti Nevzat, gjykata dha vendimin për dy të akuzuarit e vrasjes së djalit tuaj, a jeni dakord ju me këtë vendim?
Vendimi i gjykatës është një skandal i vërtetë që ndodh vetëm këtu tek ne, në Shqipëri. Një gjykatë që liron kriminelët edhe dënon të pafajshmit. Janë gjykata të korruptuara, kanë marrë lekë nga vrasësit e djalit tim dhe prandaj i liruan. Një vendim i padrejtë dhe sipas qejfit të gjyqtarëve jepen vendimet. Nuk kemi drejtësi ne, por drejtësia po na vret më shumë se çdo gjë tjetër.

Sipas jush kush janë vrasësit e djalit tuaj dhe a janë dënuar ata?
Djali im është vrarë pabesisht. E kanë marrë në telefon dhe e kanë thirrur që të shkonte te kafja në qendër të qytetit. Atje, pasi janë grindur kanë dalë jashtë dhe e kanë vrarë djalin barbarisht duke i ngulur thikën në çdo pjesë të trupit (qan). Të pranishëm në krim kanë qenë 8 persona edhe tani janë vetëm dy të akuzuar. Elton Bregu, i mallkuari që vrau djalin tim, dritën e syve të mi, ka marrë dënim të shkurtuar sepse ka paguar për të mos marrë dënimin maksimal. Ndërsa tjetri u lirua sepse ka paguar për të dalë, pasi kjo është drejtësia e vendit tonë. Ne kishim shpresë te drejtësia dhe ja çfarë marrim nga kjo drejtësi. Marrim lirimin e kriminelëve të fëmijëve tanë.

Redi Kazerma është liruar sot (dje) nga gjykata, si e gjykoni këtë vendim?
Ai është autori kryesor i vrasjes së djalit tim. Ka qenë ai që e ka marrë në telefon djalin dhe më pas ka lajmëruar kushëririn e tij, djalin e tezes që jeton në Korçë (autori) dhe e vranë Klementin së bashku. Ai e ka goditur djalin dhe ka fshehur provat bashkë me personat e tjerë që ishin të përfshirë. Së bashku me pronarin e lokalit kanë fshirë gjakun brenda ambienteve për të fshirë gjurmët. Ai duhet dënuar dhe jo të lirohet. Kjo është vrasje për herë të dytë për ne familjarisht, këtë herë e kemi nga drejtësia.

Nëse drejtësia nuk ka dhënë dënimin e duhur, çfarë do të bëni ju?
Mua më është vrarë drita e syve të mi. E kam shpirtin të copëtuar dhe nuk e dua më jetën. Drejtësia na vrau për herë të dytë, por kjo nuk do të mbetet me kaq. Drejtësia e liroi ndërsa unë… (shprehet kërcënueshëm) … me duart e mia. Do të marr hak për gjakun e djalit tim. Më morën dritën e syve dhe unë do ta çoj deri në fund drejtësinë për djalin tim.
(ed.me/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: