KRUJË- Gjykata e Krujës ka dhënë sot masën e sigurisë për autorët e dyshuar të masakrës së Thumanës ku mbetën të vrarë tre pjesëtarë të familjes Çeku.

Bëhet fjalë për vëllezërit Daniel dhe Besnik Kora, përkatësisht 28 dhe 40 vjeç të cilët janë dënuar me burg pa afat si dhe babai I tyre Gurali Kora. Ndërkaq Gjykata ka dhënë masën arrest me burg edhe për Shpëtim Nikollin, i cili akuzohet se ka fshehur autorët e krimit. Në kërkim të policisë është edhe djali tjetër I familjes Kora, Pëllumb Kora, edhe ai i dyshuar nga policia si pjesëtar në krim.

Policia ka arrestuar edhe 3 persona të tjerë, që dyshohet se kanë strehuar e ushqyer vëllezërit Kora dhe babain e këtyre të fundit, për të cilët nuk është dhënë ende masa. Ata janë 22- vjeçari Paris Gjeta, 54-vjeçari Prengë Gjeta, 36-vjeçari Ardian Gjonaj.

NGJARJA
Sipas burimeve nga prokuroria e Krujës, Pëllumb Kora, të premten që shkoi ka qenë duke peshkuar në Adriatik me dy miq të tij. Kur është kthyer në Thumanë, ai ka shkuar në lokalin e shtetasit Sh.Gj., ku ka konsumuar alkool deri në orët e vona të mbrëmjes. Në lokal ka shkuar dhe 44-vjeçari Arben Çeku, i cili ka kërkuar të bisedojë me Pëllumbin. Mësohet se biseda ka agravuar në debate të ashpra e më pas në fyerje dhe sharje. Çeku dhe Kora kanë tentuar të goditen me grushta, por kanë ndërhyrë persona të tjerë që i kanë ndarë. Më pas Pëllumb Kora ka shkuar në banesën e tij. Mësohet se në lokal kanë shkuar Fran Çeku, nipi dhe bashkëshortja e tij, për të shmangur përplasjen me Korën. Por, pak minuta më pas kanë mbërritur aty Gurali Kora me tre djemtë e tij, të cilët vranë tre pjesëtarët e familjes Çeku. 56- vjeçari fillimisht mori përsipër autorësinë e vrasjes, ndërsa më pas deklaroi se autorët ishin dy djemtë e tij, Pëllumbi dhe Danieli.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: