TIRANË- Vrasja e 17-vjecarit Ardit Gjoklaj ka ndezur nje debat mes PD dhe Bashkise se Tiranes. PD ka akuzuar sot kreun e bashkisë së Tiranës për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë. Këshilltari i Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Akil Kraja, tha se Veliaj hesht pas vdekjes së 17-vjeçarit në landfillin e Sharrës, një territor sipas tij jo vetëm nën përgjegjësinë ligjore të kryetarit të Bashkisë, por dhe një rast i pastër i korrupsionit dhe krimit shtetëror.

“Në landfillin e Sharrës, jo vetëm nuk funksion ligji, siguria teknike, siguracioni për punonjësit, por për më tepër aty po përfitohen miliona euro në një biznes të ngritur nga Erion Veliaj dhe një klient i tij, kreu i PS-së së Peqenit, njëkohësisht kreu i OSHEE në Peqin, Edurim Teqja, dhe aktualisht në kërkim nga policia për vdekjen e 17-vjeçarit”, tha Kraja.

Ai tha më tej se kompania e kontraktuar nga Bashkia për mbeturinat është nën administrimin e një personi të përjashtuar nga Italia për krime që është njëkohësisht administrator i OSHEE në Peqin.

“Erion Veliaj nuk lë rast pa përfituar të dalë në media për të bërë propagandë. Për këtë rast, Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës heshtin. Vdekja e 17 vjeçarit, Arditit, në landfillin e Sharrës, një territor i administruar nga Bashkia e Tiranës dhe nën juridiksionin e Bashkisë së Tiranës, është një rast flagrant që tregon se si krimi e korrupsioni ka futur kthetrat në Bashkinë e Tiranës. Pse hesht Erion Veliaj dhe Bashkia e Tiranës?! A mos vallë kompania e cila është nënkontraktuar nga një agjenci e Bashkisë së Tiranës e sapo krijuar, është nën administrimin e një personi të përjashtuar nga Italia për krime, apo për shkak se ky person është kryetar i PS-së në Peqin, për shkak se ky person është administrator në OSHEE?!”, tha Kraja.

Sipas tij, partnerët e Veliajt shkelin normat e sigurisë, ndërsa kryebashkiaku vazhdon represionin ndaj qytetarëve.

“E pra këta janë partnerët e Erion Veliajt. Partnerë që shkelin normat më minimale të sigurisë. Shkelin ligjin për të përfituar, zhvatur dhe vjedhur këtë qytet. Erion Veliaj vazhdon me represionin ndaj qytetarëve. Para disa kohësh shitësit ambulantë ishin të persekutuar vetëm e vetëm që t’i lihet hapësirë rikjoskëzimit të Tiranës, në një kuadër korruptiv. Asnjë transparencë”, tha ai.

“Tani janë shtresat më vulnerabël, komuniteti rom, të rinj që dua të punojnë të blejnë libra e po persekutohen deri në vdekje që t’i lihet hapësirë aferës korruptive miliona euro për riciklimin e mbetjeve në Tiranë. Kemi të bëjmë me një krim shtetëror sepse ligji që ndodhet në Parlament për importin e plehrave tregon që jemi në një rrezik më të madh për qytetin. Sot jemi dëshmitarë të një bashkëfajësie mes Bashkisë Tiranë dhe një kompanie që nuk kishte eksperiencën e nevojshme për të menaxhuar landfillin e mbetjeve në Tiranë. Sot jemi dëshmitarë të një krimi në kurriz të një 17-vjeçari të pafajshëm që kërkonte vetëm të punonte për të blerë libra për tu shkolluar”, u shpreh Akil Kraja.

BASHKIA E TIRANËS: PO PROJEKTOJMË NDËRTIMIN E NJË LANDFILLI TË RI, QYTETARËT TË MOS AFROHEN NË ZONA TË NDALUARA
Fill pas akuzave të Partisë Demokratike për kryebashkiakun Erion për vdekjen e 17-vjeçarit Ardit Gjoklaj në vendgrumbullimin e mbetjeve në Sharrë, ka reaguar Bashkia e Tiranës. Me anë të një deklarate drejtuar mediave, Bashkia pohoi se po e ndjek nga afer këtë situatë, ndërsa mbështet punën e organeve ligjzbatuese.

“Bashkia e Tiranës po ndjek me vëmendje hetimin e fatkeqësisë në Sharrë dhe mbështet punën e organeve ligjzbatuese të përfshira në ngjarje. Në përfundim të hetimit do të zbatojmë çdo përfundim, kërkesë apo rekomandim të organeve përkatëse. Territori i landfillit në Sharrë përfshin disa hektarë sipërfaqe në periferi të Tiranes, të cilat në 4 vitet e fundit degjeneruan në një fushë-betejë për grumbulluesit e mbetjeve. Bashkia e Tiranës, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit, po projekton landfillin e ri, për të rikuperuar gjendjen e mjerueshme të viteve të fundit. Deri në atë fazë, vazhdojmë t’u bëjmë thirrje qytetarëve të mos afrohen në zona të ndaluara, e ku punohet me mjete të rënda.”, citohet në njoftimin e bashkisë.

Më tej në reagim thuhet se: “Por, si në çdo fatkeqësi, aksident apo çdo moment të pafat, është gjithmonë një parti e fatkeqësive historike të këtij qyteti e vendi, që mundohet të shfrytëzojë çdo situatë për përdorim e kapital politik. Kjo është e shëmtuar, vulgare dhe aspak shqiptare, si normë e si kod moral. Nëse për landfillin që Partia Demokratike e la të degjeneronte në 4 vjet, është gjetur një zgjidhje e do nisë puna, për landfillin politik të përdorimit të vdekjes si poster partie, zgjidhja duket e pamundur.

Ndërkaq, kompania publike e pastrimit e Bashkisë së Tiranës me Bashkinë e Veronës nis punë në 26 Shtator dhe ende s’ka kryer asnjë operacion në Tiranë, ndaj dhe akuzat e pabaza e kalërimi mbi vdekjen thjesht shtojnë përbuzjen për një parti që as pastrim nuk bëri, as landfill nuk zgjidhi e asnjë orë pune nuk kreu për qytetin e Tiranës. Qytetarët e dinë mirë se Tirana ka humbur boll nga një forcë politike e cila e la në një gjendje katastrofike. Partia Demokratike i përket së shkuarës së Tiranës tonë, të cilën prej një viti e kemi kthyer në punë, e po merr jetë me investime e projekte konkrete në çdo lagje.”.
(m.k/ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb