Nga: KLODIANA LALA*

TIRANE- Ismet Haxhia, një prej të cilësuarve si bashkëpunëtor në vrasjen e deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u thotë përfundimisht “lamtumirë” qelive të burgut, ku qëndroi i izoluar për më shumë se 15 vite burg. Vëllai i Izet Haxhisë, ky i fundit ish-truproja e ish-kryeministrit Sali Berisha, ka kapërcyer pragun e burgut të sigurisë së lartë në Peqin, afro dy muaj më parë, pasi ka përfunduar dënimin e drejtësisë për ngjarjen e 12 shtatorit 1998, që u konsiderua edhe si “vrasja e shekullit”. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve bënë me dije për “Gazetën Shqiptare” se Ismet Haxhia u lirua më 21 janar 2016, ditën e hyrjes në fuqi të ligjit “Për amnistinë”, pasi i kishin mbetur më pak se dy muaj burgim, të cilat iu shuan menjëherë, duke i dhënë lirinë. I kontaktuar nga “GSH”, Ismet Haxhia tha se është një qytetar i thjeshtë dhe lirimi i tij nuk përbën asnjë lajm. Ai theksoi faktin se ka shlyer dënimin e drejtësisë dhe se tashmë ka rinisur jetën e tij, pa dhënë ndonjë detaj të mëtejshëm. Më herët në 2009, gjatë një interviste të gjatë për “GSH”, Ismet Haxhia rrëfente gjithçka dinte lidhur me vrasjen e deputetit. Më vonë, “Gazeta Shqiptare” konkretisht në 2014-ën, ka botuar pjesë nga libri i Haxhisë, “Kronika e dhimbjes”, ku inxhinieri shprehet se vrasja e Azem Hajdarit nuk ishte një vrasje ordinere dhe jepte argumentet e tij. Me lirimin e Ismet Haxhisë, për vrasjen e liderit të demokracisë Azem Hajdari, mbetet prapa hekurave vetëm Jaho Salihi Mulosmani, i cili është dënuar me burgim të përjetshëm si ekzekutor i deputetit. Ndërsa, Izet Haxhia jeton në Turqi ku gëzon status azilanti politik. Ai qëndroi disa vite në burgjet turke, derisa drejtësia atje vendosi ta refuzonte ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, duke e lënë në liri të plotë. Mbi supet e Izet Haxhisë rëndon dënimi i pashlyer prej 25 vite heqje lirie.
Vrasja e deputetit
Deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet. Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra. Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia, njerëz që qëndronin shumë pranë kryeministrit Berisha dhe mbanin poste të rëndësishme. Ish-truproja i kryeministrit Sali Berisha, Izet Haxhia, sipas akuzës telefonoi Hajdarin dhe e nxori nga zyra e tij, ku dhjetë minuta më pas e ekzekutuan në pritë, ndonëse një moment i tillë mbetet realisht i paqartë. Në një proces gjyqësor maratonë u cilësuan fajtorë Mulosmani, i cili u dënua përjetë si dhe dy vëllezërit Izet e Ismet Haxhia, që u dënuan përkatësisht me 25 dhe 20 vitet heqje lirie. I treti i vëllezërve Haxhia, Isamedini u dënua vetëm për armëmbajtje pa leje. Edhe pse dosja u mbyll me ndëshkimin e tre personave, asnjëherë nuk u tha motivi përse u ekzekutua Azem Hajdari. Ndërkaq, u vërtetua se mbi deputetin kishte qëlluar me dorën e tij Fatmir Haklaj, i cili është vrarë më vonë gjatë një atentati të mirorganizuar. I vetmi që u shpall i pafajshëm për ngjarjen e shekullit, ishte Fatmir Meta. Ai u lirua nga salla e gjyqit.

TE DENUARIT
• Jaho (Salihi) Mulosmani, dënuar me burgim të
përjetshëm për vrasjen e deputetit demokrat Azem
Hajdari, ndodhet në burgun e Burrelit.
• Izet Haxhia, ish-truproja i Sali Berishës, i dënuar
me 25 vite burg për vrasjen e deputetit të PD-së,
Azem Hajdari, ndodhet në Turqi me status azilanti.
• Ismet Haxhia, i dënuar me 20 vite burgim për
vrasjen e deputetit të PD-së, Azem Hajdari, liruar
më 21 janar 2016 nga burgu i Peqinit.
• Isamedin Haxhia u dënua me 2.6 vite burg për
armëmbajtje pa leje.
• Fatmir Meta është liruar në sallën e gjyqit, pasi
nuk u gjetën prova dhe fakte që e implikonin në
vrasjen e Azem Hajdarit.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: