Qëndrimi i kryedemokratit Lulzim Basha në librin “Misioni im” për ish-liderin historik të PD Sali Berisha ka qenë një nga temat e diskutimit në “Real Story” në News24 mbrëmjen e sotme. Në libër Basha thotë se “është qesharake deklamimi për të vrarë babain sepse nuk është në traditën e partive të djathta dhe as në traditën e fisnikërisë apo konservatorizmit”, dhe për Minxhozin kjo nuk është sekret.

Sipas tij, jemi në një vonesë ciklesh politike të cilat PD i ka paguar me qindra mijë vota depresion, sepse është një nga shkaqet e mëdha qenia e Berishës, ose mbijetesa e tij në atë parti.

Minxhozi: Këtu kemi një nga ato sekretet që i dinë të gjithë dhe vazhdojnë të thonë është sekret, faktikisht nuk është sekret. Nuk ka pasur nevojë që zoti Basha ta shkruajë këtë në një libër. Zoti Basha e ka bërë këtë përditë, që nga momenti që është bërë kryetar i PD, dhe ka marrë ato vendime që ka marrë dhe në raport me karrierën e Sali Berishës për aq sa i takonte. Problemi është që kur zoti Basha vendos një proces filtrimi kandidaturash dhe del si hipotezë apo version që ky filtrim mund të pengojë edhe zotin Berisha për t’u kandiduar në emër të rinovimit të partisë, të gjithë mekanizmat e filtrimit bien dhe fiton sërish zoti Berisha. Unë kam thënë që e djathta me të majtën nuk është se dallohen të paktën këto 30 vjet nga fakti nëse e majta i ka vrarë etërit dhe e djathta i paska respektuar. Këtu jemi në një vonesë ciklesh politike të cilat PD i ka paguar me qindra mijë vota depresion, sepse është një nga shkaqet e mëdha qenia e Berishës, ose mbijetesa e tij në atë parti, siç unë e lexoj. Kur them një vonesë 8-vjeçare, kam parasysh se ndërkohë që Fatos Nano iku prej së vërteti nga politika në 2005 e këtej, ikja jo e vërtetë e Berishës në 2013, ose më mirë një status hibrid si një politikan i tërhequr, por ende protagonist pas perdeve në PD ka qenë jo një meritë e zotit Basha dhe të tjerëve që e kanë menduar kështu, pra brezit të ri që erdhi, por një gabim i tyre i madh politik dhe vazhdon të jetë i tillë.

Rakipllari: I vetmi politikan që është larguar është zoti Nano. Deputet s’ka dashur vetë të bëhet.

Minxhozi: Ajo që zoti Basha ia njeh vetes si meritë, mund të jetë dhe kusur, në sensin që mund të jetë një rrethanë që ka dëmtuar zotin Basha të parin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb