Vrasja e tmerrshme e biznesmenit shqiptar Xhani Topalli ka tronditur familjen e 46-vjeçarit që jeton në Faliraki të Rodosit.

Vëllai i tij Kristos ka folur për protothema.gr për tragjedinë që kanë përjetuar, ndërsa avokati i familjes ka thënë se kemi të bëjmë me një “krim të paramenduar”.

Siç ka rrëfyer Kristos Topalli, nga dita e parë e zhdukjes së vëllait të tij, shtunën e 28 gushtit, ishte i bindur se diçka e keqe i kishte ndodhur, pasi dinte gjithçka për borxhin prej 100 mijë eurosh që i kishte hotelieri, i cili i mori dhe jetën duke e mbytur me litar.

“Të gjithë jemi në zi për humbjen e Xhanit. Fatkeqësisht, që në momentin e parë që i humbën gjurmët, kuptuam se diçka e keqe i kishte ndodhur. Vëllai im ishte një njeri i mirëfilltë profesionist dhe familjar. Të gjithë këtu në Falirak e njihnin dhe e donin. Dija gjithçka për borxhin e hotelierit. Për këtë ra në shumë kontradikta dhe besuam se kishte bërë diçka të keqe”, ka thënë vëllai i viktimës.

Me zhvillimet e fundit dramatike, familja e Xhani Topalit ia ka ngarkuar çështjen avokatit Minas Tserkis, i cili gjithashtu e njihte personalisht biznesmenin.

“Hotelieri ishte njeriu që kishte një takim me Xhanin përpara zhdukjes së tij. Ai vetë hasi në shumë kontradikta në dëshminë e tij, prandaj ne menjëherë besuam se ai kishte bërë diçka të keqe. Ky person është arrestuar së bashku me djalin e tij pasi kanë bërë atë që kanë bërë bashkë. Ai kishte tre vjet që tallte Xhanin për paratë që i kishte borxh. Hoteli i tij u ndërtua nga i ndjeri duke paguar pothuajse tërësisht të gjithë stafin vetë. Tjetri i premtoi se do t’i jepte pak nga pak këto para, rreth 100 mijë euro”, ka zbuluar avokati.
Për paratë që i detyrohej Tzani Topalit , hoteleri kishte firmosur edhe një dokument njohjeje borxhi para avokatit.

“Dy vite më parë erdhën edhe në zyrën time dhe u firmos konstatimi i borxhit. Hotelieri kishte firmosur se i kishte borxh 100 mijë euro. Katër ditë para vrasjes së Xhanit e kisha takuar dhe e kisha pyetur për këtë. Në fakt, viktima më tha se hoteleri i kishte dhënë rreth 2000 euro. Në dëshminë e tij, hoteleri ka gënjyer se e ka paguar dhe i ka dhënë 15 mijë euro shtesë. Ky ishte edhe gabimi që ai bëri, pasi u ngritën dyshimet e familjes”, shtoi ai.

Më tej avokati Tsekris u shpreh se vrasja e Topallit ishte e paramenduar.
“Alibia e tij u shemb dhe ai ra nga kontradikta në kontradiktë. Xhani ishte një person i shkëlqyer, një familjar që nuk i detyrohej askujt. Ai nuk e meritonte këtë fund. Nga sa dëgjojmë dhe lexojmë bëhet fjalë për një krim të paramenduar nga hanxhiu dhe djali i tij. Ai mendonte se kishte siguruar një alibi dhe ishte kujdesur për gjithçka. Ai kishte hequr regjistruesit nga hard disku”, shtoi avokati.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb