*Ja kush është Ervin Dalipaj dhe pse u pezullua nga detyra
*Hetimi: Në mjetin e Shtrazës dhe në duart e Collakut, gjurmë të njejta gjaku

TIRANË- Detajet e reja orë pas ore po çojnë drejt zbardhjes një krim të konsideruar mafioz, atë të rrëmbimit dhe ekzekutimit me gjymtyrë të lidhur të Gazmend Çollakut, vrasje e ndodhur në 6 janar 2016, në Durrës.

Pas arrestimit të Denis Shtrazës, i ndaluar si pjesëmarrës në rrëmbim e vrasje, Prokuroria për Krime të Rënda lëshon një urdhë-arrest edhe për shtetasin Ervin Dalipaj, ish-shefi i Krimit Ekonomik në Tiranë.

Ky shtetas dhe ish funksionar i policisë dyshohet se ka bashkëpunuar në rrëmbimin e Çollakut.

JA KUSH ËSHTË ERVIN DALIPAJ DHE PSE U PEZULLUA NGA DETYRA
Ervin Dalipaj ka mbajtur postin e Shefit Kundër Krimit Ekonomik në Tiranë deri në tetor të vitit 2013-të, kur u pezullua nga detyra me urdhër të ministrit Tahiri, pasi nuk kryen detyrën gjatë operacionit “Fundi i Marrëzisë” për bllokimin e lojrave të fatit.

Ky i fundit akuzohet se ka bashkëpunuar me pronarët për t’i fshehur policisë makineritë e lojërave të fatit. Dalipaj dhe shefi i krimit të Korçës ishin dy prej 12 shefave të qarqeve që dekonspiruan këtë aksion.

HETIMI: NË MJETIN E SHTRAZËS DHE NË DUART E COLLAKUT, GJURMË TË NJEJTA GJAKU
Nga veprimet hetimore të kryera nga Prokuroria për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se: Në dt. 07.01.2016 është gjetur në zonën e Fushë-Krujës trupi i pajetë i shtetasit Çollaku. Ky i fundit ishte rrëmbyer një ditë më parë në qendër të Durrësit nga disa persona, të veshur me simbole policie.

Sapo ka marrë njoftimin për këtë ngjarje, Policia e Shtetit ka zhvilluar kontrolle për personat e dyshuar. Ndër këto veprime, është ndaluar dhe kontrolluar mjeti tip ML, i cili drejtohej nga shtetasi Shtraza dhe që shoqërohej nga një person tjetër. Gjatë kontrollit të mjetit, dy personave u janë gjetur disa celularë të fikur. Nga kjo e dhënë, policia ka krijuar dyshime dhe ka vendosur bllokimin e përkohshëm të mjetit, ndërkohë që dy personat e shoqëruar janë lënë përkohësisht të lirë.

Ndërkohë, nga veprimet hetimore të Prokurorisë për Krime të Rënda, ndër të tjera, është bërë edhe këqyrja e kufomës dhe është urdhëruar ekspertiza. Nga të dhënat shkencore, në fashat plastike me të cilat ishte lidhur viktima, u gjetën disa gjurmë gjaku, të cilat nuk i përkisnin viktimës, por që kishin vlera identifikuese.

Po ashtu, nga ekspertiza mjetit tip ML, në pjesën e pasme të saj, u gjetën disa gjurmë gjaku. Këto gjurmë, pasi u krahasuan, rezultuan të njëjta me gjurmën e gjakut të gjetura në fashën plastike me të cilën ishte lidhur viktima Çollaku.

Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshime të arsyeshme se këta persona duhet të kenë qenë pjesë e pengmarrjes dhe vrasjes së shtetasit Çollaku.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb