NGA: KLODJANA HAXHIAJ*
DURRËS- Burg për jetë për 3 autorët e vrasjes së dy kunatave të moshuara në Durrës. Indrit Shaqja, Velson Elmazi dhe Artur Kaçanolli, akuzohen për vrasjen e dy të moshuarave, Elsa e Gjinofeva Vava, mesnatën e 2 shtatorit të 2014.

Shaqja, nga Shijaku, Velson Elmazi nga Elbasani, kushëriri i tij dhe nipi i dy viktimave, Artur Kacanolli kanë marrë dënimin maksimal në lidhje me ngjarjen e rëndë që tronditi mbarë opinionin publik.

Trupi gjykues i kryesuar nga relatorja Anita Mici vendosi “Burg për jetë” me akuzën e “Vjedhjes me pasojë vrasjen” kryer në bashkëpunim, për tre të rinjtë. Po kështu gjykata vendosi që dënimi nga tre të pandehurit të kryhet në burgje të sigurisë së lartë. Mbrojtja e tre të pandehurve sot në sallën e gjyqit, kërkoi dënime më të buta nga çfarë kishte kërkuar më herët prokuroria e përfaqësuar nga Anila Bebeci. Në sallën e gjyqit prezent ishte vetëm Velson Elmazi, ndërsa të pandehurit e tjerë përfaqësoheshin me avokatë mbrojtës.

Pas leximit të vendimit nenës së Elmazit, i ka rënë të fikët në sallë të gjyqit, vetëm pak centimetra larg prej kafazit të hekurt ku gjendej i biri. Velson Elmazi i ka kërkuar edhe një herë falje e ndjesë të afërmeve të të moshuarave, para se gjykata të shprehej për vendimin përfundimtar. Me një vit burg gjykata dënoi edhe bashkëshorten e Indrit Shaqjes Valbonën për fshehje të krimit. Për asnjë moment mbrojtësi i Artur Kacanollit nipit të të moshuarave, nuk pranoi akuzat e bëra nga prokuroria, duke sjellë në vëmendje prova e procesverbale që sipas tij nipi i të moshuarave nuk ishte në dijeni për krimin e kryer nga Indrit Shaqja dhe i pandehuri Elmazi.

Mbrojtja e të tërë të pandehurve ngrit si pretendim moszhvillimin e një gjyqi normal, për shkak se nuk është marrë parasysh as kërkesa e autorëve për gjykim të shkurtuar, çka do të ulte automatikisht dënimin nga burg përjetë në 25 vjet heqje lirie.

VRASJA E KUNATAVE
“Më datë 02.09.2014 rreth orës 06:20 është konstatuar fakti i vdekjes në banesën e tyre të shtetaseve Gjenovefa Vava dhe Elsa Vava. Vdekja e tyre ishte shkaktuar nga dhuna fizike e ushtruar mbi to e kombinuar kjo me asfiksinë mekanike. Vdekja e tyre kishte ardhur si pasojë e veprimeve të kryera me qëllim vjedhjen e florinjve, parave dhe sendeve të tjera me vlerë të ndodhura në banesën e viktimave. Autorë të kësaj ngjarjeje janë evidentuar të pandehurit Indrit Shaqja, Velson Elmazi, Artur Kaçanolli, të cilët kanë bashkëpunuar secili në rolet e tyre për kryerjen e veprës penale. Florinjtë dhe paratë e vjedhura, pasi janë marrë nga të Indrit Shaqja e Velson Elmazi janë fshehur në shtëpinë e të pandehurit Shaqja, nga e pandehura tjetër Valbona Shaqja, e cila ka kryer veprime për t’i fshehur këto dhe më pas për dërgimin e tyre jashtë shtetit tek i pandehuri Indrit Shaqja”, thuhej në dosjen e prokurorisë. Ndërkaq, në dosjen e bërë publike pak kohë më parë zbardhet e plotë skema e krimit.

“Të dyja viktimat janë gjetur në dy dhoma të ndryshme të katit të dytë të banesës. Ato ishin me rroba gjumi dhe ishin të lidhura me qese ngjitëse skoç në gojë, në këmbë dhe në duar, edhe me çarçafë.”

GRABITJA E FLORIRIT
Pasi kanë izoluar dy viktimat, Indrit Shaqja dhe Velson Elmazi kanë nisur të kontrollojnë në banesën e të moshuarave. Ata kanë gjetur në një kuti të bardhë ku ndodheshin dy qese brenda të cilave ndodheshin rreth 20 monedha flori. Këto monedha sipas përshkrimit të dhënë nga i pandehuri Elmazi ishin në madhësi si 100-lekëshi i ri dhe qesja ishte e tejdukshme. Këto qese i pandehuri Indrit Shaqja i ka marrë me vete duke i futur tek çanta që mbante me vete. Gjithashtu, në shtëpi, dy të pandehurit kanë gjetur edhe lekë rreth 200.000 lekë, varëse floriri e orë. Dhe pasi i kanë marrë, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.

Fakti i ekzistencës së monedhave të floririt është provuar si me dëshminë e shtetasit Vaso Vava, i cili ka shpjeguar se mund të kenë pasur 10 monedha floriri, dhe se kur ka lindur djali i tij, ato i kanë dhënë një monedhë floriri. Kjo monedhë floriri është marrë në cilësinë e provës materiale e shoqëruar edhe me tabelë fotografike dhe dërguar për ekspertim. Më datë 23.01.2015 është dhënë mendimi nga specialistja e Institutit të Arkeologjisë së Qendrës së Studimeve Albanologjike, Tiranë së bashku me fletën shoqëruese e përkthimin e kryer. Nga ekspertja është përcaktuar se monedha është si prerja monetare e Republikës Franceze e vitit 1897, me vlerën e përcaktuar prej 20 frangave dhe si një objekt i trashëgimisë kulturore ajo përmban vlera numizatike. Nga hetimi ka rezultuar se Valbona Shaqja ka qenë në dijeni të monedhave të floririt, parave dhe sendeve të tjera të vjedhura. Sipas prokurorisë, ajo i ka dërguar ato fillimisht tek shtëpia e nënës së bashkëshortit të saj dhe më pas ky i fundit i ka marrë në Spanjë ku dhe u kap e ekstradua një muaj e gjysmë pas ngjarjes në Durrës.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: