TIRANË

Prita e pabesë që i mori jetën dy të rinjve, Erigers Mihasit dhe Armando Dumanit është tema që është diskutuar sot në emisionin “Pikat mbi i” në News24. Analisti Artur Zheji tha se është tronditur nga krimi i dyfishtë për dy arsye, teksa shprehu një lloj zhgënjimi për punën e drejtorit të ri të Policisë Gledis Nano. Sipas tij, ekspozimi i autorëve në atë zonë, me aq lëvizje tregojnë shpërfilljen e tyre ndaj policisë.

Nga ana tjetër gazetarja Klodiana Lala ka sjellë detaje të reja nga vrasja që tronditi Tiranën të shtunën e 13 nëntorit, ku me breshëri u vranë Mihasi dhe Dumani në zonën e “Astirit”. Ajo tha se deri 30 minuta para krimit të dy viktimat kishin lëvizur në disa zona në Tiranë dhe ishin në shoqërinë e një vajze. Më pas Lala tha se ata janë ndjekur për disa metra nga autorët që kanë qëlluar nga njëra anë e “Audit” luksoz të identifikuar dhe me targat EM (Erigers Mihasi). Ky i fundit, ishte shënjestra sipas gazetares, ndërsa zbuloi se për ngjarjen po hetohet dhe “Klani Duka’, duke folur për një konflikt të nisur që më 2018.

Zheji: U trondita në mënyrë të trefishtë, e para si qytetarët e tjerë sepse unë atë rrugë e bëj shumë shpesh, mund të isha unë aty ose familjarët e mi. Zhgënjimi i dytë ishte fakti që mu trondit besimi tek drejtori i policisë Gledis Nano, sa kohë i duhet të kapë kontrollin e territorit? Po ndodhin shumë gjëra të tmerrshme. Mu trondit paragjykimi pozitiv për Gledis Nanon. Do bëjë ndonjë gjë apo jo, do marrë masa apo e ka marrë me qetësi…

Lala: Nuk jam e habitur. Duke njohur personalitetin e atyre personave dhe konfliktet e tyre sigurisht që ngjarje të tilla do ndodhnin. Pa diskutim ka shkaktuar tronditje tek qytetarët, një zonë shumë e frekuentuar, ka trafik të rënduar. Ka pasur dhe fëmijë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Që të dy, sidomos Erigers Mihasi shumë i njohur në botën e krimit, i konsideruar si krahu i djathtë i Ervis Martinaj. Pranë tij ishte dhe miku i tij Dumani. Nga të dhënat rezulton se Erigers Mihasi, i martuar, me dy fëmijë, ishte shënjestra e atentatit.

Zheji: Ka një parim, pasi arrestohen bosët ata që bashkëpunojnë me drejtësinë, rrëfejnë se kur kanë marrë vendime për eliminime të famshme, kur dalin nga errësira atëherë diçka e madhe nuk shkon, ka filluar një luftë e madhe kundër bandave. Çështja është se në Shqipëri ata që marrin vendime për ekzekutime, për moshën që kanë nuk dinë as rregullat e lojës së krimit. Aty e gjejmë, aty e vrasim, mund të kalojnë njerëz dhe ekspozimi që kanë ata tregon shpërfillje ndaj policisë.

Lala: Ajo pjesë ku ka ndodhur ngjarja nuk ka semafor. Në 4 orët e fundit Mihasi dhe Dumani kanë qëndruar në vende të ndryshme në kryeqytet. Automjeti ishte blerë për 70 mijë euro me lekë në dorë pak kohë më parë në Lezhë. E ka targuar dhe ishte një automjet që identifikonte Mihasin. Kanë qëndruar në shoqërinë e një vajze, kontakti i fundit para se të vritej. Pasi e kanë lënë rreth orës 17:00 kanë shkuar në rrugën ku ka ndodhur ngjarja tek ‘Dy Rrathët’. Një automjet e ka ndjekur nga pas, me targa të vjedhura.

Zheji: Thuhet që e kanë ndjekur disa orë makinën.

Lala: 4 orët e fundit në disa zona të ndryshme të Tiranës. Vajza ka qenë në makinë dhe ka zbritur 30 minuta para se të ndodhte atentati. E kanë lënë diku në Tiranën e Re, kanë shkuar tek Korpusi e më pas janë kthyer. Vajza është identifikuar nga celulari i viktimës. Është marrë në pyetje. Në një moment automjetin e kanë ndjekur disa metra, vjen me shpejtësi, vjen shumë afër dhe pasagjeri në makinën e autorëve qëllon. Fillimisht në pjesën e pasme të Audit, gjithë anësorja e Audit është e shkatërruar nga plumbat. Gjithë intensiteti i sulmit është tek Erigers Mihasi. janë gjetur 2 gëzhoja në vend, 4 në automjetin që u gjet i djegur sa futesh në rrugën e Thumanës dhe mendohet që janë mbi 20 plumba të qitur. Një plumb e ka kapur automjetin nga lartë. Përgjatë Unazës kamerat nuk kanë funksionuar sepse është në ndërtim. Ka disa pamje të cilat mendohet se mund të hedhin dritë mbi ngjarjen. mendohet që janë 3 autorë të dyshuar. Është një vrasje e kalibrit të lartë për mënyrën si kanë vepruar, sipas hetuesve. Mendohet që arma e dytë nuk është përdorur.

Zheji: Nuk krahasohemi dot për gjëra të tjera që prodhojnë të mira materiale por për prestigjin kriminal e kemi në 10-shen më të mirë. Këtë teknikën nga pas…është teknikë mafioze. Kjo tregon që autorët janë vrasës të sprovuar. Është një vrasje e nivelit të lartë. Nuk kanë marrë risk fare sepse për ta policia nuk ekziston. Ata duhet ta vrisnin me çdo kusht tragetin, do kenë qenë të mirëpaguar, sepse të marrësh atë risk do të thotë që je i motivuar.

Lala: Mihasi kishte pak ditë që ishte kthyer në vend.

Zheji: Ka një koordinim perfekt, ose kanë dakordësi me segmente të policisë së asaj zone.

Lala: Nuk e përjashtoj që zyrtarë të policisë që mund të jenë të lidhur me grupet kriminale.

Zheji: Nuk duhen kontrolluar vetëm kamerat e sigurisë, por edhe luajaliteti i policëve në atë zonë.

Lala: SHÇBA ka çelur një hetim edhe për veprimet e policisë.

Zheji: Në qoftë se në Shqipëri këto banda kriminale për vite të tëra ushtrojnë një aktivitet e janë mirë e bukur, pinë e hanë, marrin makina të shtrenjta me lekë në dorë. Nuk i bie njeriu në sy, këtu janë të gjitha hallkat e shtetit të lubrifikuara në mënyrë të tillë që ai mund të veprojë si bos. Është një zinxhir i tërë që e lejon atë të jetë ky bosi, po është i njëjti ky bosi që ka detyrën e vrasësit që vret dhe ikën. Dikush ia hapi rrugën, e la të ikte. Këtu ka një organizim. Gledis Nano duhet të kuptojë me kë bashkëpunon.

Lala: Është duke u hetuar një grup kriminal, ai që quhet ‘Klani Duka’. Është një histori e nisur në 2018 ku lojërat e fatit mbinë si kërpudhat në gjithë Tiranën, një nga personat e përfshirë Ervis Martinaj dhe vëllezërit Duka. Një moment, thotë policia pas një përplasjeje që patën, babai i vëllezërve Duka u kërcënua ose u mor peng. Nga ky moment nisën dhe përplasjet e forta që shënuan një zinxhir vrasjesh. Më herët kishte ndodhur ngjarja në Bllok, ku u vra Fabian Gaxha dhe Mihasi është personi në radhë që qëllohet për këto konflikte.

Policia është duke parë dhe mundësinë e ekzekutimit me pagesë. Sepse vëllezërit Duka janë në arrati. Janë dhe pista të tjera, si vrasja e ish-policit Xhelal Reçi sepse Ervis Martinaj kishte konflikte me djemtë e Xhelal Reçit dhe Mihasi dyshohej si autor. Mendohet përplasje mes grupeve kriminale. Leonard Duka dhe Ervis Martinaj ishin miq sot janë armiq të betuar.

Mihasi ishte i dyshuar dhe për dhunën ndaj prindërve të Elton Çiços, i ekzekutuar në 2015. Ka pasur një rekord tjetër, është shoqëruar disa muaj më parë nga një kontroll i RENEA-s në zonën e Kurbinit bashkë me persona të tjera, janë një ish-komando dhe është dyshuar për një sulm me armë të ndodhur në autostradë ndaj një biznesi. Këto janë arsyet se përse ishte ky objektiv.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb