Policia e Elbasanit ka sekuestruar armën e zjarrit me të cilën është kryer vrasja e 40-vjeçarit Emiljano Ramazanit. Ngjarja e rëndë ndodhi në datën 20 korrik të ketij viti. Nderkohe, ne pranga rane babe e bir, Albert dhe Seit Manehasa.

NJOFTIMI I POLICISE
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, ka vijuar intensivisht punën për grumbullimin e informacioneve dhe provave ligjore, me qëllim zbardhjen e ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve të vrasjes me armë zjarri të shtetasit E. R., 40 vjeç.
Si rezultat i punës së pandërprerë hetimore dhe profesionale të bërë nga specialistët e Seksionit kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë në DVP Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, në bashkëpunim me forcat speciale Renea, forcat “Shqiponja” dhe Policinë e Peqinit, është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasve:

A. Manehasa, 64 vjeç dhe S. Manehasa, 37 vjeç, lindur e banues në Peqin (babë e bir).
Pas informacioneve të grumbulluara gjatë punës hetimore se në ambientet e biznesit të këtyre shtetasve në Peqin ishte fshehur arma e krimit, është ushtruar kontroll i befasishëm dhe si rezultat, në ambientet e brendshme të biznesit, poshtë sabratorit të një makine u gjet një armë zjarri pistoletë model 54 TT, me një krehër dhe një fishek luftarak.

Nga veprimet e mëtejshme hetimore dhe nga provat shkencore ka rezultuar se arma e zjarrit e sekuestruar është arma e zjarrit pistoletë e përdorur në ngjarjen e datës 20.07.2020, në Elbasan, ku është vrarë shtetasi Emiljano Ramazani. Nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb