TIRANE- Ish-deputetja e LIBRA-s, Mimoza Hafizi ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë që ndodhi sot në Tiranë, ku mbeti e vrarë mizorisht një 39-vjeçare, me profesion gjyqtare.

Në një status në faqen e saj të ‘Facebook’-ut, Hafizi shkruan rreth Fildes Hafizit, e cila është edhe kushërira e saj. Mes të tjerash Hafizi thekson se Fildesi thuri me mund ëndrrën e vet, që sot ia prenë egërsisht.

MESAZHI I HAFIZIT
Fildes Hafizin e vranë sot pabesisht. Ishte vajzë e rrallë. E donte shumë jetën, adhuronte fëmijët e prindërit, admironte profesionin, respektonte dijen, i përkushtohej karierës, përbuzte injorancën, përçmonte apatinë, sfidonte stërmundimin. U diplomua juriste, magjistrate, gjykatëse duke rritur dy fëmijë. E thurri me mund ëndrrën e vet. Që sot ia prenë egërsisht.
Jam shumë larg e s’mund të shkoj t’i hedh një grusht dhé lamtumire. Me dhimbjen për vitet e pajetuara, me brengën e një vdekjeje që nuk e shmangëm dot, me jehonën e klithmave të saj për ndihmë, me revoltën ndaj sistemit që kemi ngritur.
Por e di se buzëqeshja e saj e bukur do çajë murin e zi të vdekjes për t’iu bërë dritë dy prindërve të mjerë e dy fëmijëve të dashur. Se iu duhet, që t’ia shohin kuptimin jetës edhe pa sytë e Desit.
Lamtumirë kushërira ime trime!
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb