TIRANE

Ndërsa i dyshuari kryesor për vrasjen e Hekuran Billës doli sot para gjykatës për t’u njohur me masën e arrestit, gazetarja Klodiana Lala, raporton për ‘BalkanWeb’ të tjera detaje nga dosja hetimore.

Në funksion të dosjes hetimore mësohet se janë analizuar pamjet nga 38 kamera sigurie pranë zonës. Organi i akuzës ka dyshime se Viktor Marku shfaqet në një moment në kamera teksa zbret nga makina smart marrë me qira dhe ngjitet në automjetin ‘mercedez benz’ i vjedhur në Shkodër që u përdor në atentat. Prokuroria thotë se në makinë është ngjitur dhe një person i dytë.

Për vrasjen e Hekuran Billës janë arrestuar dy persona, dajë e nip, përkatësisht Viktor Marku dhe Sebastiano Mali. I arrestuari Viktor Marku është vëllai i Prel Markut, që u vra nga Hekuran Billa në Angli në tetor të vitit 2006.

Hekuran Billa ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga Gjykata e Kurores Snaresbook Angli, pasi në tetor të 2006, në një lokal në rrugën Park Royal, ai qëlloi me breshëri në drejtim të një grupi personash, duke lënë të vrarë bashkëkombasin e tij, Prel Marku si dhe të plagosur Petrit Brahoj, Agron Gjoni dhe Musa Rrahmani.

Në 2013, ai u ekstradua drejt Shqipërisë dhe nisi përballjen me drejtësinë e vendit tonë. Gjykata e Tiranës vendosi ta njohë vendimin penal të huaj dhe dënoi përjetësisht Billën. Por, favorizimi i tij u bë nga Gjykata e Apelit, e cila vendosi ta prishë vendimin e shkallës së parë dhe dënoi Billën, me vetëm 25 vite burgim.

Me vendimin nuk ishte e kënaqur prokuroria, e cila bëri rekurs, por për shkak se Gjykata e Lartë hyri në kolaps, ajo dosje u mbulua nga pluhuri.

Nga ky moment, Hekuran Billa, nga Kukësi ndërtoi një strategji dhe ia doli të rifitojë lirinë. Ai fitoi disa ulje dënimi radhazi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb