TIRANË

Me pranga në duar, Daut Elmazi, u shoqërua nga qelitë e burgut për në ambjentet e gjykatës së posacme. I dyshuari për atentatin ndaj Ines Hajrullait në Vlorë, ai dëshmoi mesditën e së hënës në procesin ndaj Blendi Tetes, një prej dyshuarve për ekzekutimin e ish policit Santiago Malko. SPAK ka dyshime se Elmazi ishte në kontakt me pjesëtarët e klanit kriminal të drejtuar nga Leonard Duka, për të vëzhguar lëvizjet e Ervis Martinaj, që e kishin vënë në shënjestër për ta vrarë.

Por në pamundësi, për të gjetur Martinajn, SPAK thotë se klani Duka qëlloi për vdekje Malkon, të cilin e konsideronte si krahun e tij të djathtë. Para gjykatës së Posacme, i paraburgosuri Elmazi, që është nipi i Armando Sulejmanit, i njohur si Çipuri, pranoi njohjen me të gjithë të pandehurit dhe kontaktet që ka patur para dhe pas vrasjes së ish policit. Ai ka folur për njohje me të shumëkërkuarin Leonard Duka i cili akuzohet se organizoi vrasjen e Malkos. Ndërsa mohoi të kishte njohje me Famir Hysenit, i njohur si Doca, që dyshohet si personi që qëlloi për vdekje Malkon.

Megjithatë, në dëshminë e tij, i paraburgosuri Elmazi, refuzon kategorikisht të jetë paguar nga krerët e grupit kriminal apo të ketë dhënë informacion në lidhje me lëvizjet apo kontaktet e të shumëpërfolurit të botës së krimit, Ervis Martinaj. Dëshmitari mohoi kategorikisht të kishte të dhëna lidhur me shumën e parave që Dukët kishin vënë në dispozicion për këdo që jepte informacion.

Seancat ndaj Blendi Tetës pritet të vijojnë me marrjen e dëshmive të reja, ndërsa të akuzuarit e tjerë për ekzekutimin e Malkos, do të gjykohen në një proces të ndarë, ndonëse shumica e tyre, janë në arrati. Nëna e ish-policit Malko akuzon policinë se mbron pjesëtarët e grupit kriminal që i vranë të birin.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb