Tragjedia e Himarës na përplasi në fytyrë sistemin e kalbur të krijuar këto 30 vite, që ndërtoi këtë Shqipëri të shkatërruar, të pasigurt dhe të qelbur nga politika dhe institucionet që vetëm emri u ka ngelur, pasi funksionin nuk e kryen asnjë. Kjo është Shqipëria sot! Kemi frikë të ecim më fëmijë përdore në rrugë sepse na shtyp “I forti” i lagjes që ka makinë të tipit të fundit, kemi frikë të shkojmë në plazh se skafet të marrin jetën. Sa të pasigurt që jemi! Por pse ndodh kjo?

Teksa ndodhesha në një grup miqsh, aty njihem rastësisht edhe me dy të rinj që nuk i njihja më parë, të cilët kishin mbaruar gjimnazin prej tre vitesh, por ende nuk kishin gjetur një punë të kënaqshme. Në bisedë e sipër, të dy më thonë që po planifikojnë të aplikojnë për t’u futur në policinë e shtetit. I them: shumë mirë, të jesh pjesë e policisë do të thotë t’i shërbesh vendit tënd, qytetarëve, familjes, që të jetojnë të sigurt. Pa mbaruar fjalinë, një nga të rinjtë më ndërpret dhe më thotë “o vlla, dua të futem në polici që të bëj lekë, kam të njohur të mi që e kanë bërë, por duhet me gjet ndonjë mik që të fitoj konkursin në polici”.

U shokova, mbeta pa fjalë, para syve m’u përplas e gjithë skena e tragjedisë së Himarës dhe pamja e Arjan Tases mbi skaf ku bënte si “cub” edhe pse i kishte marrë jetën Jonadës së vogël të pafajshme. Dy të rinjtë më dukeshin sikur po shihja modelin e policit Arjan Tase, që ishte në fillimet e karrierës së tij në polici dhe si do rritej më tej. Nga zhgënjimi nuk mund ta vijoja më bisedën dhe fillova të mendoj dhe të thosha me vete “ishalla nuk bëhen një ditë efektivë policie këto dy të rinj, sepse do rriten të tjerë Arjan Tase në radhët e policisë”.

E frikshme dhe ulëritëse, kur mendon se si e perceptojnë punën në policinë e shtetit ata të rinj që duan të behën pjesë e saj. Duke marrë shkas nga kjo që tregova me lart, mendoj që policia e shtetit ka nevojë për një reformim të thellë dhe të vërtetë. Një reformim që duhet të nisë nga “A-ja” dhe të përfundojë te “ZH-ja” dhe jo nga këto “reformimet” që nisin nga “Z-ja” deri te “ZH-ja” që jemi mësuar duke parë ndër vite më ndërrime drejtuesish, duke i ndërruar vetëm vendet me po të njëjtët emra, të Tiranës çoje në Durrës, të Durrësit çoje në Fier etj. Gjithmonë kë xing është bërë ndër vite, por policia ka ngelur e njëjtë.

Efektivët me dosje të errët nuk duhet të rikthen më në polici. Duhen energji të reja, njerëz qe e kanë pasion punën në polici, duhet një reformim i thellë, që nga ai studenti i thjeshtë që nis shkollën e policisë e deri lart, duhet ta kuptojnë që t’i shërbesh policisë së shtetit, i shërben atdheut tënd, familjes tënde, vetes, sigurisë së fëmijëve. Më shumë se një përgatitje praktike që besoj nuk i mungon policisë, duhet një reformim rrënjësor i edukimit dhe formimit njerëzor të atyre që shërbejnë në polici.

Reformimi duhet të nisë që në zanafillë, aty te “A-ja”, që te kriteret për nisjen e shkollës së policisë. Kriteret për t’u futur në polici duhet të jenë të një niveli më të lartë, duhet të rriten kërkesat për pranimin në polici. Ekspertët e kësaj fushe duhet të shohin se çfarë duhet bërë ndryshe, që ata që dalin nga shkolla e policisë nesër të jenë efektivë shembullorë dhe jo policë që mendojnë ta shfrytëzojnë funksionin që kanë për të bërë para.

Reformimi duhet të shkojë te strukturat aktuale të policisë. Testi drogës për punonjësit e policisë ishte një nisje shumë e mirë, por ngeli thjesht reformë gjysmake, nuk u mor vesh se çfarë u bë më tej. Po ashtu edhe vetting-u në polici. Të dyja duhet të bëhen me patjetër në transparencë të plotë.

E fundit dhe më kryesorja, politika duhet të heqë duart e pista nga policia e shtetit. Nuk mundet që politika të caktojë drejtuesit e policisë. E frikshme kur e mendon që politika cakton drejtuesit në varësi të performancës së marrjes së votave në zgjedhje dhe jo në varësi të meritave dhe performancës në punë dhe në shërbim të së mirë së sigurisë së komunitetit. Më i frikshëm bëhet ky fakt ku politika zbret edhe më poshtë drejtuesve, te komisarët e nënkomisarët, i promovon në bazë të shërbimit që i bëjnë politikës dhe ngrenë në detyra të rëndësishme. Ja pra, në këtë mënyrë “lindin” dhe “rilindin” Arjan Taset në policinë e shtetit dhe vjen dita e zezë që polici i merr padrejtësisht jetën një vogëlusheje të pafajshme, një engjëlli si Jonada.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: