Një kukull, disa lule, një qiri, janë vendosur nga pushues në vendin ku Jonada 7-vjeçare u vra. Kukulla që Jonada duhet të mbante në dorë për të luajtur, tashmë është kthyer në pritësen e ngushëllimeve për njerëz të ndryshëm e të shumtë, të cilët janë prekur nga ngjarja makabre dhe kanë vendosur të kryejnë homazhe në kujtim të saj.

Kishte ardhur nga Anglia për të bërë pushimet me familjen e saj, në bregdetin shqiptar dhe pa pasur asnjë faj, ra pre e harbutërisë, panjerëzisë, që do e çonin atë në vdekje.

Ato që ishin planifikuar si pushimet verore për familjen Avdia, përfunduan në një tragjedi të vërtetë. Vajza e vogël Jonada u vra. U vra për shkak të papërgjegjshmërisë, abuzimit dhe mosrespektimit të ligjit. Dhe kjo ndodhi nga një komisar policie, I cili është trajnuar për të respektuar ligjin dhe për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Por arroganca, duke e cilësuar veten “pushtet” dhe të fortë, sollën këtë tragjedi.

Por Arjan Tase nuk është përgjegjësi i vetëm i kësaj historie. Edhe institucione të tjera përgjegjëse, me veprimet dhe mosveprimet e tyre sollën këtë tragjedi për familjen Avdia.

Por pse ishte e paralajmëruar kjo ngjarje?
Në 16 korrik, në Jalë, një çift pushuesish goditen nga një gomone, e cila kishte dalë jashtë kontrollit. Pasojat? Një 31-vjeçar përfundon në gjendje të rëndë në spital për shkak se mori dëmtime në brinjë dhe fytyrë, ndërsa partnerja e tij, 25-vjeçare mori dëmtime të lehta.

2 dite pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në Jalë, në plazhin e Jonufrës në Vlorë, një gomone përplas një 7-vjeçar, i cili ishte duke notuar në breg. Fatmirësisht fati ishte në anën e të voglit, I cili shpëtoi mrekullisht me vetëm disa dëmtime të vogla.

Edhe pas këtyre rasteve, autoritetet përgjegjëse nuk nisën zbatimin e ligjit në terren apo të ndërmerrnin aksione për të goditur paligjshmëritë.
Rastet e ndodhura ishin një sirenë alarmi, që problematika ekzistonte dhe se kërkonte ndërhyrje, dhe ndërhyrja mund të vinte nga institucione si Ministria e Brenshme apo Ministria e Turizmit, përderisa Policisë Kufitare të Vlorës, situata i kishte dalë jashtë kontrolli.

Ministri i Brendshëm, Bledi Cuçi u mjaftua me një takim me drejtuesit e Policisë së Shtetit të zonave bregdetare, në datën 25 korrik. Në këtë takim ai u shpreh se nuk do të kishte asnjë tolerancë për këdo që rrezikon pushuesit me motorë uji, duke thyer në mënyrë flagrante kordonët e sigurisë.

Edhe Ministrja e Turizmit, Mirela Kumbaro, në një reagim në faqen e saj në facebook, në datën 30 korrik do të deklaronte se Policia e Shteti ka bllokuar edhe 2 mjete të tjera lundruese, të cilat kryenin manovra të rrezikshme në Ksamil.

Në datën 2 gusht rreth orës 14.00, në plazhin e Potamit, në Himarë, komisar Arjan Tase, ish-shef i Komisariatit Himarë, i cili mbante pozicionin e Shefit të Policimit në Komunitet në Elbasan, teksa po ngiste një skaf me dy motorë, godet për vdekje 7-vjeçaren Jonada Avdia.
Ngjarja ishte tragjike për familjen Avdia. Vajza e tyre e vogël kishte ndërruar jetë në një mënyrë të tmerrshme. Por ajo se çfarë u pa nga videot e publikuara në ato çaste, ishte ftohtësia me të cilën reagoi komisar Arjan Tase, i cili edhe pse kishte vrarë një fëmijë, merrej me telefonin, apo kishte lëshuar fjalë fyese ndaj prindërve të vajzës.

Një kamerë sigurie ndodhej në hotelin përballë vendit të ngjarjes. Pamjet filmike, që mendohet të jenë marrë nga grupi hetimor, mund të hedhin më shumë dritë për dinamikën e ngjarjes.

Por kush është Arjan Tase? Në vitin 2020 Tase, me detyrën e Drejtorit të Komisariatit të Himarës, u akuza për shpërdorim detyre, për shkak se sipas informacioneve, lejoi kultivimin e kanabisit. Në momentin që ish-komisari u vu nën masën e ‘arrest në shtëpi’ në kuadër të operacionit ‘Shpirti’, çështja u pushua. Por teksa ai duhet të ishte duke u përballur me ligjin, për akuzën e bërë ndaj tij, ai u gradua për të ardhur në një post në Elbasan, atë të Shefit të Policimit në Komunitet.

Padyshim përgjegjësi kryesor i kësaj ngjarjeje të trishtë është një punonjës i policisë së shtetit, tashmë i pandehur, Arjan Tase. Por kjo vrasje ka edhe përgjegjës të tjerë. Dhe këtu kemi të bëjmë me shkelje të plotë të ligjit, dhe moszbatimin e tij.

Në këtë video e cila është filmuar pak minuta pas ngjarjes, lexoni fare qartë “jet ski dhe boat tour”. Pra kjo pikë duket qartazi se ka funksionuar për dhënie me qira të motorëve të ujit, si dhe për të shëtitur turistë nëpër vende të tjera me skaf. Por ligji e thotë qartë që në një stacion plazhi, ku bëhet not, nuk mund të hyjnë mjetet detare.

Vendimi nr. 171, I Qeverisë Shqiptare parashikon qartë edhe mënyrën e organizimit të stacioneve të plazheve, por edhe të mjeteve ujore.
Neni 7, pika 5 e këtij vendimi, thotë qartë se: “Të gjitha stacionet e plazhit duhet të kenë: a) Sinjalizimin dhe kufizimin me bova (me diametër 22 cm) me ngjyrë të kuqe, të lidhura me litar pluskues me njëra tjetrën, çdo 30–50 m të hapësirës ujore përpara stacionit të plazhit të dedikuar për not, e cila duhet të jetë deri në: i. 200 (dyqind) m nga bregu për plazhet e tipit A; ii. 100 (njëqind) m nga bregu për plazhet e tipit B. Deri në thellësinë 1.6 m (një pikë gjashtë) të vendosen bova (me diametër 22 cm), me ngjyrë të bardhë, e cila sinjalizon pushuesit për zonën e sigurt për notim. Bovat duhet të jenë të mirankoruara dhe të kontrollohen periodikisht nëse ato kanë lëvizur nga pozicioni i tyre nga dallgët, era apo shkaqe të tjera.

Në këtë zonë, ku ndodhi ngjarja nuk ekziston asnjë sinjalizim me bova, siç e kërkon ligji. As bovat e kuqe as ato të bardha. A ka qënë e vështirë për autoritet, si Ministria e Turizmit, Bashkinë Himarë, dhe Policinë Detare, ta verifikonte këtë shkelje?
Pika 5, b, e këtij neni, thoshte gjithashtu se: sinjalizimin e zonave të përdorimit të mjeteve lundruese për argëtim, zonat për përdorimin dhe ankorimin e mjeteve lundruese me ose pa motor, jashtë zonave të përcaktuara për not sipas shkronjës “a”, më sipër, duhet të jenë të kufizuara, duke ofruar vende për ankorim (kalata), vendparkim në tokë dhe bova për përcaktimin e korridoreve për afrimin dhe parkimin në tokë të mjeteve ujore me ose pa motor. Në zonat e përdorimit dhe ankorimit të mjeteve lundruese për argëtim, aktivitetet e notimit janë të ndaluara.

Ky ligj flet shumë qartë kur thotë se asnjë mjet lundrues nuk mund të afrohet në një zonë, e cila është e dedikuar për pushuesit, dhe e anasjellta, asnjë pushues, nuk duhet të afrohet në zonat e dedikuara për ankorim të mjeteve lundruese.

Pika 8, e po këtij neni, flet edhe më qartë: “Lejohet aktiviteti i dhënies me qira të pedaloneve apo i mjeteve të tjera ujore dhe përdorimi i tyre duhet të bëhet jashtë zonës së notimit. Lëvizja e motorëve të ujit apo varkave motorike duhet të bëhet në një distancë prej 300 m nga zona e notimit”. Edhe në këtë rast, ligji nuk është zbatuar.

Nëse do të kishim zbatimin e këtij ligji, Jonada do të ishte në jetë. Do të ishte në jetë sepse ai skaf nuk do te kishte hyrë në një zonë ku nuk lejohej të hynte. Dhe paligjshmëria nis që me vendosjen e kundërligjshme të një pike në tokë, ku bëhej ankorimi I skafeve.
Një ditë pas ngjarjes News24 bëri një vëzhgim të bregdetin shqiptar, për të parë zbatimin e ligjit. Pamjet linin për të dëshiruar, sepse distanca prej 300 metrash e mjeteve të ujit, nga zona e notimit, nuk respektohej. Në shumicën e rasteve në stacionet e plazhit, nuk kishte bova, siç e parashikon ligji.

Shqetësuese ishin edhe pamjet që dolën një ditë pas ngjarjes, nëpër faqe të ndryshme në internet, ku edhe pse policia kishte nisur një aksion për goditjen e paligjshmërive, mjetet lundruese rrezikonin jetët e pushuesve.

Një ditë pas ngjarjes tragjike, Policia e Shtetit nisi një aksion për goditjen e paligjshmërive në bregdet, duke sekuestruar edhe disa mjete ujore. Por a mjafton kjo? Pse duhet të vdiste dikush, që të nisë zbatimi i ligjit?

Pse duhet të vdiste 7-vjeçarja Jonada, që institucionet përgjegjëse, të nisnin dhe të luftonin paligjshmëritë në bregdetin shqiptar?
Kjo është historia e Jonadës së vogël, e cila pa nisur të jetonte u ndal së frymuari. Kjo jo për shkaqe natyrore, por për shkak të papërgjegjshmërisë individuale, që veshur me “xhaketën” e të fortit të shtetit, nuk njohu prapaktheu, dhe asaj shtetërore, që nuk diti të zbatojë ligjet që ka shkruar vetë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb