Ministri i Brendshëm i dorëhequr nga detyra, Sandër Lleshaj, i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” deklaroi se ka dhënë dorëheqjen, për shkaqe njerëzore më së pari, pasi u vra një njeri.

Lleshaj shtoi se ka dhënë dorëheqjen për ngjarjen, edhe për të vërtetuar se nuk është e nuk mund të jetë njësoj si disa figura politike, që tashmë janë në opozitë.

“Humbja e jetës së një njeriu në terren më detyroi të reflektoj së pari si njeri në respekt të familjes të të ndjerit, që drejtoi sytë nga shteti. Motivi tjetër ishte edhe politik. Për këtë ngjarje, reaguan edhe ata përfaqësues të politikës së vjetër, që janë përgjegjës për ngjarje të tmerrshme që kanë ndodhur në mes të Tiranës dhe që justifikojnë dhunën shtetërore dhe barbare në mes të qytetit. Unë reagova dhe ndaj tyre, për t’ju thënë se nuk jam njësoj me ju. Por e para ishte reagimi moral e njerëzor ndaj familjes, që priste nga shteti një vlerësimk serioz”, tha Lleshaj.

Sandër Lleshaj theksoi se situata e vrasjes ishte absurd e se në këtë ngjarje nuk kishte nevojë për përdorim të armës.

“Fatkeqësisht situata nuk ka qenë për armë. Reagimet e para ishin për tejkalim të kushteve të nevojshme. Unë mora këtë vendim, sepse ligji u tejkalua. Edhe deklarata e sotme e Prokurorisë, ishte në fakt deklaratë e SHÇBA-së. Veprimi ishte i pakuptueshëm. Është ngjarje e rëndë dhe e pakuptueshme dhe do të duhet të sqarohet thellë, ndërsa duhen hetime edhe më tej. Duhet dhënë përgjigja “Pse ndodhi ngjarja””, vlerësoi Lleshaj.

(d.xh/ Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb