TIRANË- Prej mbrëmjes së të shtunës në Policinë e Tiranës u mbajtën të shoqëruar dy prej vëllezërve të Agim Dakës, tropojani që u vetëvra në zyrën e komisar Artan Cukut.

Gazetarja Dorjana Bezat raportoi për “BalkanWeb” se policia e Shkodrës i shoqëroi dy vëllezërit e Dakës e më pas ata u sollën në Tiranë ku u morën në pyetje nisur nga dyshimet se ekzekutimi i ish-zyrtarit të policisë mund të ketë ndodhur për hakmarrje.

Agim Daka u vetëvra në zyrën e komisar Artan Cukut në vitin 2005, kur ai ishte shef i Komisariatit nr.4 në Tiranë.

DËSHMIA
Vëllezërit e viktimës, një prej tyre i liruar prej 1 viti nga burgu kanë mohuar të kenë lidhje me ngjarjen duke pretenduar se çështjen e vëllait e kanë sqaruar vite më parë.

“Nuk kemi asnjë lidhje me vrasjen. Me komisarin e kemi mbyllur këtë punë që kur vdiq vëllai”, kanë deklaruar ata, raporton “BalkanWeb”. Përveç kësaj, të dy vëllezërit kanë pasur alibi pasi në kohën e ekzekutimit të Cukut ndodheshin në Shkodër.

Ata janë mbajtur për 24 orë në Policinë e Tiranës e më pas janë lënë të lirë. Ish-drejtori i Policisë së Vlorës u vra në një atentat në pallatin ku jetonte kur po ngjitej në apartamentin e tij nga persona që ende nuk janë identifikuar. Për ngjarjen ka pasur disa të shoqëruar, ndërsa po hetojnë specialistët më të mirë të policisë.

Artan Cuku ka pasur disa detyra të larta në Policinë e Shtetit deri në vitin 2013 kur u nxor në lirim. Kohët e fundit ai drejtonte një polici private. Policia po heton në disa pista për zbardhjen e vrasjes.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: