TIRANË- Duke rindërtuar të gjithë skemën e vrasjes së komisarit Artan Cuku, gazetari i “News 24” Artan Hoxha ka hedhur sot dyshime të forta, sipas të cilave Cuku mund t’i jetë përgjigjur killerit që i zuri pritë në sheshpushimin e pallatit ku banonte. Madje, ekzistenca e dy gëzhojave të kalibrit 9 mm që nuk kanë dalë nga arma e killerit, mund të jenë qëlluar nga vetë Cuku.

Por duke qenë se ngjarja është ende nën hetim, gazetari i “News 24”, thotë se gjithçka mbetet në fazë dyshimi. E megjithatë, sipas tij, është fakt që ka pasur dy të shtëna me një pistoletë tjetër e tipit “Beretta” në drejtim të kundërt me drejtimin nga erdhën të shtënat e vrasësit, raporton “BalkanWeb”.

“Dyshohet se ka pasur fillimisht një konflikt mes Cukut e autorit të vrasjes. Në vendngjarje janë gjetur edhe dy gëzhoja të tjerta të kalibrit 9 mm që e përdorin zakonisht pistoletat e tipit “Beretta”. Por mbetet ende i dyshimtë është fakti se kush mund ta ketë përdorur pistoletën e dytë. Janë marrë shumë filmime. Nga filmimet dhe kontrollet e zonës rezulton të kemi të bëjmë vetëm me një ekzekutor që ka ikur në këmbë, jo me motor e biçikletë. Ka ikur në këmbë në drejtim të sheshit “Willson”, një zonë shumë e populluar. Këto dëshmojnë që kemi të bëjmë me një vrasës profesionist, jo me një vrasës që e ka për herë të parë këtë punë. E ka goditur në fund në kokë, për t’u siguruar që viktima nuk shpëton i gjallë. Edhe pse mund të duket si një vrasje e pakujdesshme, për shkak se nuk është përdorur silenciator, është një ngjarje e menduar mirë”,- shton Hoxha, raporton “BalkanWeb”.

Duke treguar më tej për të shtënat e dala nga një pistoletë e dytë në vendngjarje, Hoxha shton se predhat nuk janë gjetur në trupin e viktimës.

“Rezulton që pistoleta tjetër ka qitur vetëm dy herë në krahun e kundërt dhe nuk ka se si ta ketë pasur autori, pasi predhat nuk janë në trupin e viktimës. Edhe po të supozosh që kemi të bëjmë me një psitoletë tjetër që të jetë e autorit qitja me të është bërë në të kundërt të pistoletës predhat e së cilës janë në trupin e viktimës, pra s’ka pasur si të qëllonte një person në dy drejtime të kundërta.

Gazetari dyshon ndër të tjera që bëhet fjalë për një vrasës me pagesë, ose për një person që nuk e ka pasur për herë të parë këtë punë. “Fakti që s’ka përdorur makinë e ka bërë të jetë mjaft e vështirë. Vrasje të tilla ose bëhen me pagesë ose për shkak të një shkëmbimi apo detyrimi që mund t’i ketë tjetrit”, – sqaron Hoxha.
(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb