TIRANE– Policia e Tiranës ka marrë në mbrojtje familjarët e 24-vjeçarit nga Kuçova Mikel Shallari, i dyshuar si atentatori i komisarit Artan Cuku, më 8 prill 2017. Pasi u shoqërua në polici tre ditë në parë, Shallari pranoi të bashkëpunojë me drejtësinë, por kërkoi që t’u garantohej siguria familjarëve të tij.

Tre muaj më parë, prindërit e të arrestuarit për vrasjen e komisarit, ishin zhvendosur për të jetuar në Tiranë. Por edhe nga zona ku u vendosën në Tiranë, ata u zhvendosën sërish.

Sipas Policisë, largimi i tyre nga ajo zonë e populluar e kryeqytetit ku ishin zhvendosur, është një masë paraprake e marrë nga vetë forcat e rendit, për mbrojtjen e tyre. Veprim ky që mund të shërbejë edhe si një shtysë për të bindur Mikel Shallarin të bashkëpunojë me Drejtësinë.

Deri në muajin tetor të vitit të kaluar, Mikel Shallari, me origjinë nga Skrapari, ka jetuar në fshatin Dikater të Kuçovës, nga ku u largua në kohën që motra e tij fitoi të drejtën e studimit në Tiranë. Që nga ajo kohë, 24-­vjeçari ishte zhvendosur për të jetuar në Qytetin Studenti bashkë me të motrën.

Para tre muajsh, edhe prindërit e tij u larguan nga Kuçova drejt Tiranës, pasi i ati i tij gjeti një punë si shofer në kryeqytet. Ndërsa thuajse çdo fundjavë ata udhëtonin drejt fshatit Dikater, që ndodhet rreth 10 kilometra larg qytetit të Kuçovës, ku bashkë me prindërit punonin tokën dhe hardhitë rreth shtëpisë. Mikel Shallari aktualisht ishte i papunë, ndërsa në Kuçovë kishte kryer punë të ndryshme, ndonjëherë edhe duke emigruar.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: