TIRANË- Është hedhur sot shorti në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda për Arben Frroku, i cili akuzohet nga prokuroria për vrasjen e kryekomisar Dritan Lamaj. Në bazë të këtij shorti do të përcaktohet pesëshja e gjyqtarëve që do të shqyrtojnë dosjen për Arben Frrokun.

Kryesuese e trupës gjykuese do të jetë gjyqtarja Nertina Kosova, ndërsa anëtarë do të jenë Nure Preni, Albana Boksi, Dhimitër Lara e Amarildo Laçi. Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli të pafajshëm Arben Frrokun, ndërsa vendimi la të pakënaqur prokurorinë e cila vendosi të çojë çështjen në Apelin e Krimeve të Rënda.

Arben Frroku u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Krimeve të Rënda më 3 prill, megjithëse organi i akuzës kishte kërkuar burg të përjetshëm. Gjykata e Krimeve të Rënda deklaroi se provat e paraqitura nga Prokuroria nuk provohen.

Lidhur me pafajësinë e Frrokut, Këshilli i Lartë i Drejtësisë bëri me dije se do të verifikojë vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda. KLD i ka kthyer përgjigje prokurorisë nëpërmjet inspektoratit. Sipas KLD-së nga analiza ka vend për të verifikuar rastin e Frrokut.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: