TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda ka apeluar vendimin e dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda për Arben Frrokun. Ashtu siç edhe kishte paralajmëruar në fakt, organi i akuzës ka apeluar vendimin e Gjykatës, e cila i dha një javë më parë pafajsinë Arben Frrokut, i akuzuar për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Dy ditë pasi Gjykata i ka dërguar vendimin e zbardhur Prokurorisë, kjo e fundit ka nisur përgatitjet për në apel. Bashkangjitur me vendimin e zbardhur është dorëzuar dhe një CD e incizuar në seancën e fundit.

Prokuroria do t’i drejtohet shkallës së dytë të gjyqësorit duke u mbështetur të dëshmitari i mbrojtur Arben Ndoka. Ndërkohë ky i fundit pavarësisht vendimit të gjykatës do vijojë të mbetet dëshmitar i mbrojtur nga drejtësia. Nga ana tjetër në lidhje me vendimin e gjykatës prokurorët shprehen se faktet nuk janë analizuar siç duhet nga trupi gjykues. Madje gjykata sipas tyre ka bërë interpretim të njëanshëm të provave të mbledhura gjatë periudhës së hetimit. Për dëshmitarin e mbrojtur gjykata çmon se ai ka shkuar në vendngjarje 4 minuta pas vrasjes se kryekomisarit, por prokuroria pretendon të kundërtën pasi sipas saj pamjet që vijnë nga kamerat e sigurisë nuk shfaqin qartë gjithë zonën e mbuluar.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb