Anila Jole, Kryeredaktore në News24, duke folur në emisionin “Kjo Javë” të gazetares Nisida Tufa, ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur pak kohë më parë, ku 14-vjeçari Martin Cani, nxënës i shkollës Fan Noli në Tiranë, u qëllua për vdekje me thikë nga një bashkëmoshatar i tij.
Jole tha se për këtë ngjarje vështirë që të gjesh ndonjë njeri që nuk e ka përjetuar, pasi një fëmijë i mitur goditet për vdekje me thikë pa ndonjë motiv, pa arsye.
“Martin Cani ishte një djalë i dashur, i mirë me mësime, që merrej me sport, pra nuk ke ku ta kapësh këtë ngjarje kaq makabre”, tha Jole.
Në vijim ajo u shpreh se drejtësia nuk po nxjerr në dritë asnjë detaj. “Nuk kemi të bëjmë me një vrasje mafioze, apo një vrasje me pagesë. Kemi një vrasje ordinere që drejtësia duhej ta kishte zbardhur, pasi kjo zvarritja po i vret ata prindër për herë të dytë”, tha Jole.
Sipas saj, çdo zvarritje krijon në opinion atë dyshimin se diçka po fshihet.
Ajo tha se ajo që ndodhi ishte një ngjarje shumë e rëndë, por reagimi, ai mobilizimi i madh ishte vetëm në 3 ditët e para.