NGA KAREN DAWISHA

Mbrëmjen e 27 shkurtit, një person i armatosur vrau në qendër të Moskës Boris Nemçovin, ish-zv.kryeministrin rus, dhe liderin e fuqishëm karizmatik të opozitës, i cili qëndronte si një alternativë ndaj Vladimir Putinit. Në Leningrad në 1 dhjetor të vitit 1934, një person i armatosur ekzekutoi në zyrë Sergej Kirovin, një nga figurat e larta drejtuese bolshevike, i cili qëndronte si një alternativë ndaj Josif Stalinit.

Përfshirja e këtij të fundit në këtë krim u mohua, dhe nuk u provua kurrë. Është e vetëkuptueshme, që gjithashtu edhe Kremlini këtë herë, ishte shumë i shpejtë në mohimin e përfshirjes së Putinit, në vdekjen Nemçovit. Paralelet konsiderohen me vlerë. Vrasja e Kirovit, shënoi fillimin e spastrimeve të mëdha, periudhë në të cilën elitat e nivelit të lartë, u shfarosën deri në atë masë, sa Bashkimi Sovjetik, ishte tërësisht i papërgatitur për pushtimin e Hitlerit.

Në mënyrë të ngjashme sot, veprimet e Putinit në Ukrainë, dhe refuzimi i tij për të ndarë pushtetin me elitën moderne, e ka dënuar Rusinë me një tjetër tjetër brez të prapambetjes ekonomike dhe izolimit politik. Sigurisht, Kirovi nuk ishte kundërshtari i parë politik që u rrëzua, ashtu sikurse nuk ishte as Nemçovi sot. Udhëheqësit e partive politike rivale, ishin internuar në kampet e punës nga Lenini, që në filim të viteve ’20, dhe lëvizjet politike të opozitës, duke përfshirë ato në Ukrainë, patën luftuar për të mposhtur kolektivizimin e bolshevikëve, në fillim të viteve ’30.

Por, ajo ndaj Kirovit, ishte vrasja e parë e nivelit të lartë politik të një personi, i cili mund të ishte bërë udhëheqës i ardhshëm i partisë. Në mënyrë të ngjashme, nën Putinin, kundërshtarët politikë janë vrarë, si gazetarja Ana Politkovskaja dhe Aleksandër Litvinenko, por ata nuk aspironin presidencën. Dhe sigurisht, pjesën më të madhe të epokës tij, Putini është angazhuar të shtypë lëvizjet politike të opozitës, qoftë në Rusi, duke penguar liderët kundërshtarë, të regjistrojnë partitë e tyre për të marrë pjesë në zgjedhje, ose jashtë vendit, duke pushtuar Gjeorgjinë, Krimenë dhe Ukrainën Lindore, për të parandaluar instalimin e regjimeve demokratike tek shtetet fqinje.

Përsa i përket vrasjes së Nemçovit, pavarësisht se kush do të shpallet në fund përgjegjës, e sigurtë është, që edhe njëherë, kemi të bëjmë me ekzekutimin e një personi, i cili mund të bëhej një ditë udhëheqësi i ri i vendit. Hetimet e Stalinit për vrasësit e Kirovit, çuan tek një fushatë e dytë spastrimesh, përshkallëzimin e represionit kundër bolshevikëve të vjetër, dhe gjyqet farsë të mes të viteve ’30. Përmes proceseve të montuara gjyqësore, më shumë se një duzinë anëtarësh themelues të Partisë Bolshevike, u shpallën fajtorë për bashkëpunimin në vrasje, dhe u ekzekutuan.

Tani pyetja shtrohet, nëse liderët e Kremlinit, po e mendojnë faktin se po e çojnë vendin drejt një rruge të ngjashme, të izolimit dhe shkatërrimit përfundimtar? Për më tepër, a i ka marrë Kremlini parasysh të gjitha pasojat, apo thjesht vetëm lejon të funksionojë logjika e tmerrshme e këtij sistemi, që ata kanë krijuar? Kur Kremlini i etiketon publikisht liderët e opozitës si armiq, dhe vjell vrer dhe urrejtje ndaj atyre që kanë të drejtë të kërkojnë lirinë, vrasjet pastaj, pa marrë parasysh se kush e tërhoqi këmbëzën, janë një rrjedhojë logjike.

Regjimi i Putinit ka arritur gjatë 15 viteve të fundit, të krijojë një qeverisje, që është historikisht e pashembullt në vjedhjet e saj. Vetë Nemçovi, ishte i pari që ndërmori një analizë sistematike të korrupsionit të Putinit. Ai fliste për një pasuri që përfshinte ndërtimin dhe rindërtimin e 20 pallateve, pranimin e dhuratave prej 700 mijë dollarësh në orë të ndryshme dore, numrin e pafundëm të jahteve, aeroplanëve, dhe një departament të menaxhimit të pronës në Kremlin, me një staf prej më shumë se 60 mijë punonjësish, si dhe dhe një buxhet vjetor të zyrës presidenciale prej 2.41 miliardë dollarësh. E gjithë kjo pasuri marramendëse nuk përfshin miliardat e dollarëve, që Putin raportohet t’i ketë fshehur jashtë vendit.

Regjimi fshihet me sukses pas patriotizmit dhe ekspasionizmit të kontrolluar të Kremlinit, duke bërë që veprimet e tij në Ukrainë, të duken formalisht një përgjigje e popullatës lokale rusisht-folëse, ndaj agresionit të NATO-s, që nga ana e saj është në mbështetje të juntës fashiste në Kiev. Poshtërsia e regjimit është më pashembullta, që nga koha kur Hitleri e maskoi ekspansionizmin e tij me dëshirën e gjermano-folësve në Sudetet çeke për t’iu bashkuar shtetit amë.

Gjithësesi kjo situatë, ka një aspekt optimist. Në tërësi, popullsia në Rusi, sidomos në qytetet e mëdha të Moskës dhe Shën Petersburgut, nuk është si fshatarët e gjeneratës së parë të epokës së Stalinit. Ata kanë udhëtuar, e dinë çfarë është sundimi i së drejtës dhe ligjit, dhe njohin të drejtën e mbrojtjes së pronës. Ata munden (tani për tani), të jenë edhe më të lidhur me njëri-tjetrin, përmes mediave sociale. Twitter, Facebook, Instagram, dhe YouTube gjallojnë nga informacionet dhe komentet që shprehin një zemërim të skajshëm kundër Kremlinit.

Nemçovi kishte mijëra ndjekës në mediat sociale, dhe shumë nga miqtë e tij gjithashtu kanë mijëra ithtarë. Udhëheqës të tjerë të opozitës si Aleksej Navalni, Ilia Jashin, Ksenia Sobçak etj, janë sa të tronditur, po aq edhe sfidues. Ish-kryeministri Mikail Kasjanov shkroi në blogun e tij: “Bastardë, ju vratë shoku tim në qendër të Moskës … me katër plumba, për të vepruar kështu me të gjithë njerëzit që mendojnë lirisht…. Vendi po shkon drejt humnerës”.

Zëdhënësi i Komitetit Hetues, Vladimir Markin, paralajmëroi shtypin të mos nxitohet të japë përfundime, dhe pastaj vazhdoi duke renditur një koleksion justifikimesh mbi motivet e mundshme që përfshinin gjithçka, përveç xhelozisë së Kremlinit. Ai e quajti vrasjen një provokim politik, të kryer ndoshta nga ekstremistët islamikë, të zemëruar mbi qëndrimin e Borisit ndaj sulmit mbi revistën satirike franceze “Charlie Hebdo”; ose një “sakrificë e shenjtë” nga vetë opozita, për të destabilizuar vendin; ose e lidhur me pikëpamjet e tij mbi luftën në Ukrainë; një konflikt biznesi apo një sulm që ka të bëjë me jetën e tij personale.

Fakti që e dashura e Nemçovit ishte ukrainase, dhe që ajo ishte me të kur ai vdiq, u vu menjëherë në dukje nga mediat ruse. Putini e quajti aktin një “vrasje me porosi”, ndërsa deklaroi se do të monitoronte personalisht rezultatet e hetimit. Dhe pavarësisht faktit se raportet e para të dëshmitarëve okularë thoshin se vrasësit ngisnin një makinë të bardhë, pa targa, të nesërmen në mesditë, televizioni proqeveritar “Rusia Today”, pretendonte se makina ishte gjetur, dhe se ajo kishte targa të republikës myslimane të Ingushetisë.

Eshtë i trishtueshëm fakti se fuqitë perëndimore nuk e kuptuan asokohe rëndësinë e vrasjes së Kirovit. Le të shpresojmë se këtë herë, ata do të shohin vdekjen e Nemçovit si “një krismë, që u dëgjua në mbarë botën”, dhe të angazhohen për të penguar shtypjen dhe ekspansionizmit e mëtejshëm rus. Presidenti amerikan Obama e dënoi me shpejtësi vrasjen, duke deklaruar se “e admiron përkushtimin kurajoz të Nemçovit në luftën kundër korrupsionit në Rusi, dhe vlerësoi gatishmërinë për të ndarë pikëpamjet e tij të sinqerta, gjatë takimit që patëm bashkë në Moskë në vitin 2009″.
Kjo do të thotë se duhen siguruar të gjitha format e ndihmës, për të parandaluar dështimin e demokracisë ukrainase, një ëndërr për të cilën Nemçovi mund të ketë vdekur. Sesi duhet ndihmuar opozita ruse, kjo varet nga ajo, nëse ajo do të jetë në gjendje të ndihmojë vetveten në javët që do të vijnë. Askush nuk do të donte të ishte tani në vendin e tyre. Por të qëndrosh së bashku me ta në këmbënguljen e tyre – duke i bërë jehonë vrasjes së Nemçovit – se regjimi autoritar i Putinit bazohet në korrupsionin masiv, do të jetë më e rëndësishme se kurrë.

Shënim: Karen Dawisha është drejtuese e “Qendrës për Studime ruse dhe Postsovjetike” në Universitetin e Majemit. Ajo është autore librit “Kleptokracia e Putinit. Kush e zotëron Rusinë?”
CNN/Bota.al

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: