Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, reagon për vrasjen e nënkomisarit Saimir Hoxha nga 21-vjeçari Aldi Rama, teksa ishte në një aksion për zbulimin e parcelave me kanabis.

Kryeparlamentarja Nikolla bën thirrje që të ndalet pandëshkueshmëria, papërgjegjshmëria dhe korrupsioni, ndërsa e cilëson vrasjen e efektivit të Krimeve një alarm për të gjithë.

“Vrasja në krye të detyrës e nënkomisarit Saimir Hoxha është një alarm për të gjithë. Policia e Shtetit humbi një oficer shembullor e të përkushtuar, dy fëmijët babain dhe familja njeriun e saj të dashur. Duhet të reflektojmë të gjithë, për ligje më të ashpra kundër krimit, për forcë më të madhe goditëse ndaj kriminelëve e trafikantëve, për gjykime të pamëshirshme për krimet që marrin jetë njerëzish. T’i themi Ndal pandëshkueshmërise, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit në zbatimin e ligjeve apo kontrollin e zbatimit të tyre, të cilat i paguajmë me jetë njerëzish, për më tepër me jetë oficerësh dhe policësh të shtetit.”, bën thirrje në reagimin e saj Kryetarja e Kuvendit, znj. Lindita Nikolla.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb